Rooney zbulon periudhën më të errët të jetës: Kam menduar edhe vetëvrasjen

- Advertisement -

Ish-futbollisti anglez, Wayne Rooney, ka bërë një rrëfim tronditës për problemet e shëndetit mendor me të cilat është përballur gjatë karrierës së tij te Manchester United, duke zbuluar se kishte menduar edhe t’i jepte fund jetës.

Rooney, i cili konsiderohet një prej legjendave të klubit anglez, tregoi se pavarësisht suksesit të madh në fushën e futbollit, jashtë saj po kalonte periudhën më të vështirë të jetës.

Në një intervistë në podcastin “Life At The Midpoint with Gabby Logan”, ish-sulmuesi anglez rrëfeu se kishte arritur në një gjendje shumë të rëndë psikologjike, duke u izoluar nga njerëzit dhe duke kaluar deri në dy ditë duke konsumuar alkool në shtëpi.

“Arrita në një pikë ku mendoja për vetëvrasje. Thjesht nuk dëshiroja të isha pranë askujt. Nuk doja të takoja njerëz në rrugë, nuk doja të hyja nëpër dyqane. Në fushën e futbollit ndihesha gjithmonë rehat, por me gjithçka tjetër e kisha shumë të vështirë”, deklaroi Rooney.

Ai tregoi se kjo periudhë përkonte me kulmin e karrierës së tij, kur ishte i martuar me Coleen Rooney dhe sapo ishte bërë baba për herë të parë.

“Kur e shikoj prapa, ndoshta isha në kulmin e karrierës. Sapo isha martuar dhe kisha një djalë të vogël. Duhej të ishte periudha më e lumtur e jetës sime, por nuk ishte. Përkundrazi, ishte pika më e ulët”, rrëfeu ai.

Rooney pranoi se e kishte të vështirë të pranonte problemet e tij, pasi kishte frikë se do të shihej si i dobët. Për këtë arsye, kishte kërkuar edhe ndihmën e një terapisti për të kuptuar se çfarë po ndodhte me të.

Në fund, ai veçoi bashkëshorten Coleen si personin që e ndihmoi jashtëzakonisht shumë për ta kaluar atë periudhë të vështirë.

“Coleen më ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Ajo mund të ishte larguar, sepse situata ishte aq e keqe, por qëndroi pranë meje dhe më ndihmoi ta kaloja”, përfundoi ish-kapiteni i Anglisë.

Rooney është golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester Unitedit me 253 gola, ndërsa gjatë karrierës së tij fitoi disa tituj të Premierligës dhe Ligën e Kampionëve.

Të ngjashme

Të fundit