Ronaldo ishte pranë Milanit, ish-drejtori sportiv: Kishim marrëveshje me të dhe me Realin

- Advertisement -

Ish-drejtori sportiv i Milanit, Massimiliano Mirabelli, e ka bërë një zbulim befasues, duke treguar se Cristiano Ronaldo ishte shumë pranë transferimit te kuqezinjtë në vitin 2018, përpara se të përfundonte te Juventusi.

Në një intervistë për gazetarin Carlo Pellegatti në YouTube, Mirabelli tha se Milani kishte arritur marrëveshje si me sulmuesin portugez, ashtu edhe me Real Madridin, por gjithçka dështoi pasi pronarët kinezë të klubit u tërhoqën në momentet e fundit, përcjell “Gazeta Express”.

Sipas Mirabellit, drejtuesit kinezë e kishin mbështetur fillimisht projektin për rinovimin e skuadrës, duke e synuar afrimin e lojtarëve të rinj dhe një ylli botëror që do t’i jepte klubit prestigj ndërkombëtar.

“Pronarët kinezë na kërkuan ta bënim një goditje të madhe në merkato. E kontaktuam Cristiano Ronaldon dhe arritëm marrëveshje për ta sjellë te Milani”, deklaroi Mirabelli.

Ai zbuloi se kontaktet u intensifikuan pas finales së Ligës së Kampionëve mes Juventusit dhe Real Madridit në Cardiff, përmes menaxherit Jorge Mendes.

“Kur folëm me Ronaldon, së bashku me Fassonen dhe Gattuson, ai na tha: ‘Do të vij te Milani. Nuk e kam fituar kurrë Ligën e Evropës dhe dua ta fitoj’. Ai ishte shumë i motivuar dhe fakti që Milani nuk luante në Ligën e Kampionëve nuk ishte problem për të”, shtoi ish-drejtori sportiv.

Mirabelli theksoi se marrëveshja me Real Madridin dhe me përfaqësuesit e lojtarit ishte arritur, ndërsa mbeteshin vetëm disa detaje financiare për t’u finalizuar.

“Real Madridi kërkonte rreth 100 milionë euro, ndërsa paga e Ronaldos ishte shumë e lartë. Gjithçka ishte gati, por në fund pronarët kinezë u tërhoqën dhe transferimi dështoi”, përfundoi ai.

Nëse ky transferim do të ishte realizuar, ai do të kishte ndryshuar historinë e Milanit dhe të futbollit italian, pasi Cristiano Ronaldo do ta kishte veshur fanellën kuqezi disa muaj përpara se të transferohej te Juventusi.

Të ngjashme

Të fundit