Ronaldinho flet pas debutimit me Ravennan: Shkoi shumë shpejt, futbolli është gjëja më e mirë në jetën time

- Advertisement -

Ronaldinho ka pranuar se rikthimi i tij në futboll “kaloi shumë shpejt” te Ravenna, por ndeshja e sotme në Serie C mund të mos jetë e fundit për legjendën 46-vjeçare.

“I thashë presidentit se, nëse ka nevojë për mua, do të jem këtu”, tha ai.

Ish-ylli i Milanit, Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit ishte pensionuar në vitin 2018, megjithëse ndeshjen e tij të fundit profesionale e kishte zhvilluar për Fluminensen në shtator të vitit 2015.

Ai nënshkroi gjatë verës me skuadrën e Ravennas, që garon në Serie C, nivelin e tretë të futbollit italian, dhe debutoi për klubin në ndeshjen e sotme kundër rivalit lokal, Forlì.

Ronaldinho ishte në formacionin titullar dhe i luajti të gjitha 45 minutat e pjesës së parë, përpara se t’i përshëndeste tifozët në stadiumin “Benelli” gjatë pushimit mes pjesëve, në një moment që u shndërrua në një ovacion të madh në këmbë.

“Kaloi shumë shpejt, kështu ka qenë gjithmonë futbolli për mua”, tha 46-vjeçari për Sky Sport Italia, teksa përshëndeste tifozët.

“A ishte kjo ndeshja ime e fundit? Nuk e di, nëse presidenti vazhdon të më thërrasë, do të kthehem! Është gjithmonë kënaqësi. I thashë presidentit se, nëse ka nevojë për mua, atëherë do të jem këtu”.

Si e përjetoi ai eksperiencën e rikthimit në një skuadër, përfshirë edhe përballjen me futbollistë që ishin ende fëmijë të vegjël kur ai e zhvilloi ndeshjen e fundit, 11 vjet më parë?

“Ishte shumë bukur të isha këtu, të luaja dhe ta përjetoja atmosferën në zhveshtore para ndeshjes. Futbolli ka qenë gjithmonë gjëja më e mrekullueshme në jetën time”, vazhdoi Ronaldinho.

Ai gjithmonë luante me buzëqeshje në fytyrë, ndërsa ky lloj gëzimi duket se ka humbur disi në futbollin modern.

“Ka shumë futbollistë që e kanë të njëjtin gëzim që kisha unë. Në futboll ndonjëherë gjërat nuk shkojnë mirë, këtë e dimë ne në Brazil, por edhe ju italianët. Shpresoj që Italia dhe Brazili të rikthehen te fitoret e Kupës së Botës dhe të luajnë futboll të bukur”, tha ish-futbollisti i Milanit.

Mbetet të shihet nëse kjo do të jetë paraqitja e tij e vetme me fanellën e Ravenna-s, duke pasur parasysh se ai mbërriti me aeroplan vetëm dje, zhvilloi një stërvitje dhe qëndroi në një hotel të ndryshëm nga pjesa tjetër e skuadrës.

“Ishte kënaqësi të isha me kaq shumë futbollistë të rinj, disa prej të cilëve janë rritur duke më shikuar mua. Ishte diçka e mrekullueshme. Tani, nëse më thërret presidenti, do të kthehem!”

Edhe pse nuk ishte asistuesi, Ronaldinho ishte i përfshirë në aksionin që i parapriu golit të parë të Ravennas, të shënuar nga bashkëlojtari i tij, Giulio Donati.

Interesant është fakti se Donati kishte luajtur dikur kundër Milanit të Ronaldinhos, kur përfaqësonte Leccen në një ndeshje të Serie A në “San Siro”.

Të ngjashme

Të fundit