12.8 C
New York
Saturday, November 16, 2024

Buy now

Rizvanolli: Kosova ka luajtur rol konstruktiv në të gjitha iniciativat rajonale për bashkëpunim në fushën e energjisë

- Advertisement -

 

Prishtinë, 17.09.2024 – Në ditën e dytë të punimeve të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, është mbajtur paneli “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – Një thirrje e përbashkët për veprim”, ku ka marrë pjesë Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli.

 

Për veç Ministres Rizvanolli, në panel kanë marrë pjesë edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann dhe Isabelle Wertheim nga Komisioni Evropian e cila është paraqitur online.

 

Gjatë prezantimit të saj, Ministrja Rizvanolli ka theksuar se Kosova është në një pozitë sfiduese sa i përket tranzicionit energjetik veçanërisht dhe një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, jo vetëm për faktin që qëndron prapa shteteve më të zhvilluara, nga niveli i zhvillimit ekonomik edhe mundësive për të investuar dhe vet faktin që kemi një sistem elektroenergjetik që është i vjetër, ose jofleksibil dhe nuk kemi qasje në burime të ujit, që do ta bënin sistemin më fleksibil.

“Me gjithë këtë kjo nuk na ka ndalë që të kemi ambicie të mëdha dhe të punojmë drejtë këtyre ambicieve të mëdha”, vlerësoi Rizvanoli dhe foli për bashkëdyzimin e tregut energjetik që Kosova ka arritur me Shqipërinë, lansimin e Bursës Shqiptare të Energjisë – ALPEX dhe për bashkëpunimin që Kosova do të ketë edhe më Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut në tregun e përbashkët energjetik.

Ministrja Rizvanolli po ashtu ka shtuar se Kosova ka luajtur një rol konstruktiv në të gjitha iniciativat rajonale për bashkëpunim në fushën e energjisë.

Ministri Aliu deklaroi se jemi vendi më unik në botë, pasi nuk njihemi nga Kombet e Bashkuara dhe sfida kryesore e në fushën e ndryshimeve klimatike, është fakti që nuk kemi qasje në mekanizma dhe fonde ndërkombëtare, por siç tha ai me ndihmën e vendeve mike është arrit që të lobohet dhe të thyhen këto barriera dhe Kosova të ketë qasje, mos te lihet mbrapa, pasi që edhe motoja kryesore e Kombeve të Bashkuara është “të mos lihet askush mbrapa”.

Ministrja gjermane për klimë, Anna Luhrmann theksoi rëndësinë e kësaj konference si dhe prezencën e saj, ku pohoi se të gjithë kanë nevojë për një stabilitet klimatik që të përpiqen t’i ndihmojnë ekonomisë, agrikulturës dhe shteteve  në përgjithësi dhe bëri thirrje që  të punohet së bashku për të krijuar kushtet bazike për mbrojtjen e klimës.

“Pozicionimi i Kosovës si një liderë në regjion në këtë fushë është diçka e shkëlqyeshme dhe mezi presim që të shohim se si Kosova do të punojë akoma në largimin e fosileve dhe thëngjillit”, përfundoi Luhrmann.

Ministrja Rizvanolli, po ashtu ka marrë pjesë edhe në panelin e dytë me temën “Rrugëtimi drejt Tranzicionit të Energjisë në Ballkanin Perëndimor”, ku ka theksuar se Kosova hynë në një fazë ku të gjitha planifikimet, përgatitjet që janë bërë, kanë filluar të japin rezultatet e saj dhe jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur për të arritur targetet që ia kemi vënë vetës për vitin 2031.

Rizvanolli pohoi se kapacitetet tona të thëngjillit do të vazhdojnë ta mbajnë barrën kryesore për energji, edhe pse gjithnjë e më pak, por ajo kërkoi të sigurohemi që kapacitete tona të thëngjillit të janë më të sigurta, në kuptim të sigurisë së furnizimit, mirëpo edhe më të pastra, në kuptim të uljes së emetimeve në masën që është e mundshme.

“Nga ana tjetër po investojmë në bateri që na mundësojnë që gjatë kohëve të prodhimit më të lartë të akumulojmë energji, të cilën mund ta shfrytëzojmë gjatë orëve të pikut. Ky lloj investimi do të jetë shumë i dobishëm për të optimizuar kapacitetet tona që i kemi, edhe për të akumuluar energji të tepër që prodhohet gjatë natës nga thëngjilli e nuk shfrytëzohet, për ta shfrytëzuar pastaj gjatë orëve të ditës”, theksoi Ministrja Rizvanolli.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit