Eksperti i teknologjisë, Darsej Rizaj, ka paralajmëruar se Inteligjenca Artificiale (IA) do të sjellë ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve, veçanërisht në tregun e punës dhe në ekonominë globale.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Rizaj është ndalur te rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i shpejtë i IA-së, duke theksuar se shoqëria duhet të përgatitet për pasojat që mund të ketë zëvendësimi i punëtorëve nga teknologjia.
“Na duhet me mendu çka ka me ndodhë me njerëzit që fillojnë me humbë punën për shkak të Inteligjencës Artificiale, ku kanë me shku ata njerëz, qysh kanë me u pagu”, tha Rizaj.
Ai ka vlerësuar se humbja e vendeve të punës për shkak të automatizimit mund të ndikojë edhe në zinxhirin ekonomik global, duke e bërë të domosdoshme krijimin e rregullave dhe masave të reja.
“Zinxhiri ekonomik global fillon me u lëkundë dhe me këtë lëkundje duhet me fillu edhe rregullativa të reja, masa të reja”, është shprehur ai.
Rizaj ka theksuar se një nga çështjet më të rëndësishme ku duhet të përqendrohet shoqëria është edukimi, në mënyrë që njerëzit të përgatiten për ndryshimet që do të sjellë Inteligjenca Artificiale.






