Ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në sfondin e 75-vjetorit të Organizatës në Strasburg, për të cilin edhe është bërë e ditur agjenda.
Pritjet ishin që në këtë takim të votohej për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, por që një gjë e tillë nuk figuron në këtë agjendë
Në email-in e dërguar për TËVË 1, shihet se agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.
Po ashtu, Ministrat do të shqyrtojnë punën e Organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën dixhitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.
Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.
Në fund të seancës ministrore, thuhet se Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave. Ministrja e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit të Lihtenshtajnit, Dominique Hasler, do të bëjë bilancet e presidencës së saj. Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonyte, do të prezantojë prioritetet e presidencës së vendit të saj.