14.8 C
New York
Thursday, October 10, 2024

Buy now

“Rënie të eksporteve dhe të prodhimit”, pasojat që e presin Kosovën nëse përjashtohet nga CEFTA, sipas ekonomistëve

- Advertisement -

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndaluar importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, nën arsyetimin e një mase sigurie në lidhje me situatën e krijuar në atë kohë me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, po rrezikon ta paralizojë vendin në kontekst të shkëmbimeve tregtare pas paralajmërimit të zyrtarëve të lartë gjermanë se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare, nëse nuk heq dorë nga kjo masë.

Paralajmërimi ndaj Qeverisë është bërë nën argumentin se një bllokadë e tillë shkel parimet e CEFTA-s, e cila në thelb ka eliminimin e barrierave tregtare mes vendeve duke mundësuar kështu zgjerimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare.

Kosova u bë anëtare CEFTA-s në korrik të vitit 2007. Pas anëtarësimit, eksporti i Kosovës në këto vende ka qenë pothuajse vazhdimisht në rritje. Shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe vendeve të CEFTA arritën vlerën e 1.270 miliardë euro vetëm në vitin 2023.

Pavarësisht rritjes së lehtë të eksporteve në vitet e fundit, deficiti tregtar i Kosovës mbetet rreth 5 miliardë euro. Një përjashtim i mundshëm nga marrëveshja CEFA do të nënkuptonte një thellim të këtij deficiti.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka paralajmëruar se një përjashtim i mundshëm i Kosovës nga CEFTA “do të nënkuptonte izolim tregtar dhe ekonomik”.

Rënie e eksporteve dhe të prodhimit, importe më të shtrenjta dhe rritje të mëtejme të çmimeve në Kosovë, dhe dekurajim total të investimeve, sepse askush nuk dëshiron të investojë në një ekonomi të izoluar, janë disa nga pasojat që e presin vendin në rast të përjashtimit, sipas ekonomistit të PDK-së.

Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, përjashtimi i Kosovës nga nisma rajonale do t’i shkaktonte vendit humbje 127 milionë euro në vit.

Sipas tij, dalja apo përjashtimi eventual i Kosovës nga CEFTA do të përkthehej në “shtrenjtim të produkteve për 10%”.

“Shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe vendeve të CEFTA kanë arritur vlerën fincanciare në 1.270 miliardë euro në vitin 2023, dalja apo përjashtimi eventual i Kosovës nga CEFTA për qytetarët dhe bizneset do të jetë ngarkesë dhe shtrenjtim i produkteve për 10% me vlerën mesatare në vit 127 milionë € shtrenjtim i produkteve të importit dhe eksportit në Kosovë.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 343,6 milion€, ose 39,8% të eksporteve të përgjithshme, kurse importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 926,6 milionë€, ose 15,7% të importeve të përgjithshme, që i ka Kosova”, ka thënë Shahini.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit