2.5 C
New York
Thursday, December 12, 2024

Buy now

Rekrutimi skandaloz: Konkursi për Drejtor të Agjencisë për Regjistrim Civil dhe Drejtor të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dështon për një udhëtim jashtë vendit

- Advertisement -
Në një zhvillim që sfidon çdo pritshmëri për funksionimin e institucioneve shtetërore, dy konkurse për pozita të larta drejtuese janë anuluar, jo për mungesë kandidatësh të kualifikuar apo kritere profesionale të paplotësuara, por për arsye që të lënë pa fjalë. Një anëtar i komisionit vendosi të mos marrë pjesë për shkak të “obligimeve të paplanifikuara jashtë vendit”.

Pozitat për Drejtor Ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil dhe Drejtor të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike kishin tërhequr kandidatë që i plotësonin të gjitha kriteret, megjithatë procesi dështoi për shkak të mospranisë së një anëtari të Komisionit ad-hoc. Kjo mungesë e papritur dhe, siç u deklarua, me “prioritet të lartë”, ka rezultuar në tejkalimin e afateve ligjore dhe në anulimin e konkurseve.

Ironia e situatës është se, ndërsa kandidatë të kualifikuar qëndrojnë në pritje për një tjetër mundësi, administrata shtetërore vazhdon të vuajë nga mungesa e lidershipit në institucione kyçe. Kjo nuk është thjesht një dështim i procedurave, por një pasqyrë e qartë e keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.

Arsyetimi zyrtar për anulimin

Në njoftimet zyrtare për anulimin e të dy konkurseve, Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (NjMBNj) e Ministrisë së Punëve të Brendshme theksoi se për shkak të tejkalimit të afateve ligjore, procesi rekrutues për këto pozita ka përfunduar pa sukses. Njësia kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për të mbledhur Komisionin dhe për të vazhduar procesin, por mungesa e një anëtari e bëri të pamundur përmbushjen e afateve të përcaktuara me ligj dhe rregullore.

Për Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil ishte planifikuar që testimi me shkrim të mbahej më datë 31.10.2024, me afatin përfundimtar më 05.11.2024. Anëtari i Komisionit ishte jashtë vendit gjatë tërë kësaj periudhe, duke pamundësuar zhvillimin e testimit.

Për arsye të njëjta ka dështuar edhe konkursi për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, raporton Demokracia.com. Edhe pse për këtë pozitë kishin aplikuar shtatë (7) kandidatë që plotësonin kushtet dhe kriteret e përcaktuara, procedurat e konkursit nuk mund të vazhdonin për shkak të mungesës së një anëtari të Komisionit, i cili kishte obligime të paplanifikuara dhe ndodhej jashtë vendit gjatë afateve të përcaktuara për testimin. Si pasojë, konkursi u anulua për shkak të tejkalimit të afateve ligjore. Pra, personi i njëtë ka marrë pjesë në dy vlerësimet e kandidatëve.

Dështimi i këtyre konkurseve tregon një mungesë të theksuar koordinimi dhe përgjegjësie brenda institucioneve publike. Në vend të zbatimit rigoroz të procedurave ligjore dhe garantimit të funksionimit institucional, kemi dëshmuar një tjetër shembull të burokracisë së ngathët që dëmton jo vetëm kandidatët, por edhe vetë administratën shtetërore.

Nga ana tjetër, kjo situatë ngjall dyshime se ndoshta emrat e garuesve nuk i kanë pëlqyer Ministrisë së Punëve të Brendshme të drejtuar nga Xhelal Sveçla dhe si rezultat mund të jenë ndërmarrë hapa që kanë çuar në anulimin e konkurseve. Një skenar i tillë do të ngrinte shqetësime serioze për ndërhyrje politike apo subjektivitet në një proces që duhet të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë kandidatët e kualifikuar.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit