Referendumi: Islandezët vendosin të mbeten jashtë BE-së

- Advertisement -

Islandezët kanë votuar për të qëndruar jashtë Bashkimit Europian, raportoi të dielën transmetuesi RUV, duke refuzuar nismën e qeverisë për t’i rihapur bisedimet për anëtarësim dhe duke u rreshtuar me ata që thanë se ujërat e peshkimit të Islandës ishin tepër të rëndësishme për t’u vënë në rrezik, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Një votë “jo” do ta zhgënjejë Brukselin, pasi disa zyrtarë e kishin cilësuar Islandën si një rast me rrezik të ulët, që mund të ndihmonte në zbutjen e skepticizmit ndaj zgjerimit të BE-së dhe në forcimin strategjik të bllokut në një kohë kur siguria në Arktik është në fokus.

Qeveria e kishte paraqitur planin e anëtarësimit si një moment “o sot o kurrë”, ndërsa kryeministrja Kristrum Frostadottir u tha votuesve në gusht se një “jo” do t’i jepte fund të gjitha spekulimeve për BE-në.

Aktivistët e fushatës pro “po”-së kanë thënë se anëtarësimi në bllok mund t’i ulte normat e larta të interesit dhe të ofronte më shumë siguri në një botë të tronditur nga lufta në Ukrainë dhe retorika e presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e një ishulli tjetër të Arktikut, Grenlandës.

Aktivistët e fushatës pro “jo”-së thanë se anëtarësimi në BE do ta kërcënonte sovranitetin dhe ujërat e peshkimit të ishullit.

Fushata për referendumin ka nxitur debat rreth pozitës së Islandës në botë, u tha Frostadottir gazetarëve pasi hodhi votën e saj në kryeqytet të shtunën.

“Është një ditë e madhe. Kemi pritur prej vitesh për të qenë në gjendje të votojmë”, tha Frostadóttir, duke shtuar se qeveria e saj do të vazhdonte punën pavarësisht rezultatit.

Islanda aplikoi për herë të parë për t’iu bashkuar BE-së në vitin 2009, kur një krizë financiare goditi ekonominë e vogël dhe të ekspozuar të vendit. Një qeveri euroskeptike i dha fund bisedimeve në vitin 2013.

Trazirat gjeopolitike, përfshirë luftën në Lindjen e Mesme dhe tarifat amerikane të importit, i kanë dhënë urgjencë një çështjeje për të cilën islandezët kanë debatuar herë pas here për dekada.

Të ngjashme

Të fundit