Sipas mediumit “TeamTalk”, të cilin e përcjell “Bernabeu Digital”, Real Madridi e ka identifikuar portierin e Brighton & Hove Albionit, Bart Verbruggen, si një kandidat të mundshëm për ta zëvendësuar Thibaut Courtois në të ardhmen.
Klubi madrilen po e përcjell nga afër zhvillimin e portierit holandez, derisa ka nisur të planifikojë të ardhmen afatgjatë të pozitës së portierit.
Courtois vazhdon të jetë një figurë kyçe te Real Madridi dhe pjesë e rëndësishme e skuadrës së Jose Mourinhos në “Santiago Bernabeu”.

Në moshën 34-vjeçare, portieri belg vazhdon të konsiderohet ndër më të mirët në botë. Gjatë këtij sezoni, ai ka regjistruar 15 paraqitje në të gjitha garat, me katër ndeshje pa pranuar gol dhe 16 gola të pësuar.
Paraqitjet e tij kanë qenë vendimtare në vazhdimësinë e rezultateve pozitive të skuadrës nën drejtimin e Mourinhos.
Kontrata aktuale e Courtois skadon në vitin 2027, por drejtuesit e klubit tashmë kanë nisur punën për t’ia ofruar një vazhdim edhe për një vit.
Megjithatë, Real Madridi nuk dëshiron të presë deri në momentin kur zëvendësimi i portierit belg të bëhet domosdoshmëri. Për këtë arsye, drejtuesit po përgatitin që tani planin për periudhën pas Courtois.
Sipas raportimit, Verbruggen është kandidati i preferuar i madrilenëve për ta marrë në të ardhmen vendin e belgut.
Mosha 24-vjeçare, fiziku imponues, siguria mes shtyllave dhe aftësia për të kontribuar në ndërtimin e aksioneve nga prapavija e bëjnë holandezin një opsion shumë tërheqës për Real Madridin.
Madje, sipas mediumit, portieri i kombëtares së Holandës do ta kishte të vështirë të refuzonte një ofertë konkrete nga gjiganti spanjoll.
Megjithatë, pengesa kryesore për Real Madridin pritet të jetë qëndrimi i Brightonit.
Klubi anglez nuk dëshiron ta humbasë portierin 24-vjeçar, të cilin e konsideron pjesë të rëndësishme të projektit të tij.
Por, vera e vitit 2027 mund të krijojë një mundësi për madrilenët.
Kontrata e Verbruggenit me Brightonin skadon në vitin 2028, që do të thotë se në fund të këtij sezoni ai do të hyjë në vitin e fundit të marrëveshjes.
Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje për rinovim, portieri mund të bëhet i disponueshëm për një çmim më të arsyeshëm, pasi Brightoni rrezikon ta humbasë atë pa kompensim financiar në verën e vitit 2028.






