Real Madridi është shumë afër për t’u kurorëzuar me titullin e kampionit në La Liga këtë sezon dhe kjo mund të realizohet edhe matematikisht sonte.
Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti prin në tabelë me 84 pikë, me 11 pikë më shumë se Barcelona, teksa deri në fund të sezonit kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe pesë xhiro.
Real Madridi do të jetë sot nikoqir i Cadizit, në kuadër të javës së 34-t, kurse Barça do të luajë në udhëtim ndaj Gironas.
Kësisoj, ekzistojnë dy skenarë se si “Los Blancos” mund të sigurojnë titullin e 36-të në histori të klubit.
Madrilenët mund të shpallen matematikisht kampionë nëse mposhtin Cadizin dhe në anën tjetër Barcelona nuk fiton ndaj Gironas, ose nëse barazojnë me Cadizin dhe Barcelona pëson humbje ndaj Gironas.
Skuadra nga kryeqyteti spanjoll për herë fundit u shpall kampione në La Liga në sezonin 2021/22. Kampione në fuqi është Barcelona.
Mbetet të shihet nëse qysh sonte do të ketë festë në Madrid, apo do të shtyhet për javën tjetër.
Ndeshja mes Real Madridit dhe Cadizit do të luhet nga ora 16:15, kurse ajo mes Gironas dhe Barcelonës nga ora 18:30.