Vendimi i Republikës së Kenias për të njohur pavarësinë e Kosovës ka hapur një mundësi të re për shtete të tjera që kërkojnë njohjen e pavarësisë, duke përfshirë edhe Republikën e Somalilandit.

Përmes një komunikate zyrtare, Ministria e Jashtme e Somalilandit ka shprehur miratimin për vendimin e Kenias, duke e cilësuar atë si një “dëshmi të fortë të angazhimit të Kenias ndaj parimeve të ligjit ndërkombëtar, të drejtës për vetëvendosje dhe përkrahjes së paqes dhe stabilitetit.”

Somaliland theksoi se rruga e saj drejt pavarësisë është e ngjashme me atë të Kosovës, duke u bazuar në të drejtën e vetëvendosjes dhe parimet e ligjit ndërkombëtar.

“Republika e Somaliland, e cila ka mbështetur paqen, qeverisjen demokratike dhe institucionet shtetërore efektive për më shumë se tre dekada, ndan me Kosovën një trajektore paralele të bazuar në shprehjen legjitime të vullnetit sovran dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara për shtetësi sipas ligjit ndërkombëtar. Somaliland vë në dukje me vlerësim precedentin ligjor të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe pohon rëndësinë e këtij precedenti në kontekstin e përpjekjeve të qëndrueshme të Somallandës për njohje ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e tyre të publikuar në rrjetin social ‘X’.