Autoritetet e Kosovës të premten kanë mbyllur katër objekte të Qendrës për punë sociale – të cilat funksiononin në veri të Mitrovicës në kuadër të sistemit paralel serb.
Këto qendra u mbyllën për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Lidhur me këtë zhvillim kishte reaguar ambasada e ShBA-së në Kosovë. Tash ka reaguar edhe misioni i OSBE-së në Kosovë, ku ka theksuar se mbyllja e tyre do të ndikojë negativisht në qasjen në shërbime kyçe për komunitetet jo shumicë në Kosovë.
“Misioni vëren se mbyllja e Qendrave për Mirëqenie Sociale të drejtuara nga Beogradi që ndodhi të premten, do të ndikojë në qasjen në shërbimet kyçe për komunitetet jo-shumicë”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.
“Çdo ndërprerje e kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mbështetjes sociale prek në mënyrë disproporcionale grupet e cenueshme sociale. Këto mbyllje duhet të zgjidhen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në njoftim.