Rasti në Pejë, suspendohen 11 zyrtarë policorë

- Advertisement -

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka suspenduar 11 zyrtarë policorë në Pejë.

Ky vendim vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, të cilën shteti nuk e kishte mbrojtur, pavarësisht se ajo e kishte paralajmëruar se mund të vinte kjo situatë dhe prandaj kishte kërkuar mbrojtje.

Ndër zyrtarët policorë të suspenduar është Komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, por edhe Faruk Muqolli, të cilit iu publikua një bisedë me të ndjerën Arlinda Zekaj.

Sipas njoftimit të Policisë, suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar një hetim paraprak për veprimet apo mosveprimet e tyre në këtë rast.

Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë policorë.

Po ashtu, janë suspenduar shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.

Policia ka bërë të ditur se suspendimet janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale në trajtimin e rastit.

Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në ruajtjen e integritetit dhe ofrimin e shërbimeve në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe se do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante.

Të ngjashme

Të fundit