Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me një postim lidhur me, siç e quan ai, “mobilizimin” kundër një projekti të madh turistik në Vlorë.
Rama ka shkruar se për herë të parë në 35 vjet “Shqipëria po synon Olimpin e turizmit” me një projekt “marramendës”, duke theksuar se bëhet fjalë për një investim prej 4 miliardë eurosh nga partnerë amerikanë dhe nga Katari.
Sipas tij, kundërshtimet ndaj projektit janë shtuar teksa po afrohet “dita e daljes në dritë”, ndërsa ka ironizuar edhe faktin që, siç thotë ai, mediat greke dhe faqet me shumë ndjekës në Greqi “janë bërë njësh” me protestuesit.
Në postimin e tij, Rama ka renditur përfitime të mundshme nga projekti, përfshirë ardhjen e “hoteleve më prestigjiozë të botës”, hapjen e rreth 10 mijë vendeve të punës, rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar me 4% deri në vitin 2030, rritjen e të ardhurave për frymë, pagave e pensioneve, si dhe rritjen e vlerës së pronës në Vlorë.
Ai ka shtuar se projekti, sipas tij, do të ndikonte edhe në zgjerimin e zinxhirit të vlerës për sektorë të ndryshëm, si bujqësia, peshkimi e shërbimet, si dhe në përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.






