Rasti i Arlindës, Musliu: Asnjë organizator nuk ka të drejtë ta privatizojë revoltën e qytetarëve

- Advertisement -

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar përmes një postimi lidhur me protestën për rastin e Arlindës, duke thënë se dhimbja dhe kërkesa për drejtësi nuk duhet të përvetësohen nga asnjë parti apo organizatë.

Musliu ka theksuar se protesta duhet të jetë e hapur për të gjithë qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie nga institucionet, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.

“Arlinda nuk është pronë e askujt. As vdekja e saj nuk mund të shndërrohet në mjet për të përjashtuar zërat e tjerë nga kërkesa për drejtësi. Protesta është e qytetarëve. Është e secilit që beson se jeta e një gruaje vlen më shumë se deklaratat, fjalimet dhe lotët e derdhur para kamerave”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Ajo ka thënë se nuk do të marrë pjesë në protestë për të mbrojtur ndonjë parti politike, por për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe institucione që mbrojnë jetën e qytetarëve.

“Unë nuk shkoj në protestë për të mbrojtur ndonjë parti. Shkoj për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe institucione që e mbrojnë jetën. Nëse ka pasur neglizhencë, shpërfillje të rrezikut apo dështim institucional, duhet të ketë hetim të paanshëm, përgjegjësi konkrete dhe masa ligjore ndaj secilit që ka dështuar në detyrën e tij. Jo vetëm premtime. Jo vetëm deklarata. Veprime!”, ka deklaruar ajo.

Deputetja ka kritikuar gjithashtu përpjekjet për ta përvetësuar protestën, duke theksuar se asnjë palë nuk duhet ta kufizojë të drejtën e qytetarëve për të kërkuar llogari.

“Asnjë parti nuk ka të drejtë ta privatizojë dhimbjen e Arlindës. Por asnjë organizator nuk ka të drejtë ta privatizojë revoltën e qytetarëve. Drejtësia nuk ndërtohet me ultimatume ndaj qytetarëve, me kërcënime për konfrontim apo me ndarje mes atyre që duhet të jenë bashkë. Ndërtohet duke e drejtuar revoltën aty ku duhet: te përgjegjësia e atyre që kanë pasur detyrë ta mbrojnë jetën”, ka shkruar Musliu.

Musliu ka theksuar se drejtësia për Arlindën dhe siguria e grave duhet të jenë përgjegjësi e të gjithë shoqërisë, e jo çështje e interesave partiake.

Postimi i plotë:

Arlinda nuk është pronë e askujt. As vdekja e saj nuk mund të shndërrohet në mjet për të përjashtuar zërat e tjerë nga kërkesa për drejtësi.

Protesta është e qytetarëve. Është e secilit që beson se jeta e një gruaje vlen më shumë se deklaratat, fjalimet dhe lotët e derdhur para kamerave.

Por, nëse nesër kërkojmë llogaridhënie nga institucionet, duhet të jemi të parët që e mbrojmë të drejtën e secilit qytetar për të kërkuar llogari. Askush nuk duhet të ketë privilegjin ta përvetësojë dhimbjen, por as askush nuk duhet të përjashtohet nga protesta vetëm për shkak të përkatësisë politike.

Unë nuk shkoj në protestë për të mbrojtur ndonjë parti. Shkoj për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe institucione që e mbrojnë jetën.

Nëse ka pasur neglizhencë, shpërfillje të rrezikut apo dështim institucional, duhet të ketë hetim të paanshëm, përgjegjësi konkrete dhe masa ligjore ndaj secilit që ka dështuar në detyrën e tij. Jo vetëm premtime. Jo vetëm deklarata. Veprime!

Asnjë parti nuk ka të drejtë ta privatizojë dhimbjen e Arlindës. Por asnjë organizator nuk ka të drejtë ta privatizojë revoltën e qytetarëve.

Drejtësia nuk ndërtohet me ultimatume ndaj qytetarëve, me kërcënime për konfrontim apo me ndarje mes atyre që duhet të jenë bashkë. Ndërtohet duke e drejtuar revoltën aty ku duhet: te përgjegjësia e atyre që kanë pasur detyrë ta mbrojnë jetën.

Arlinda meriton drejtësi. Familja e saj meriton përgjigje. Çdo grua në Kosovë meriton të jetojë pa frikë.

Dhe askush nuk duhet të flejë i qetë nëse ka dështuar ta mbrojë një jetë njerëzore.

Jo për interesa partiake. Jo për protagonizëm. Por për drejtësi!

Sepse jeta e grave nuk është çështje e një partie, e një organizate apo e një proteste. Është përgjegjësi e gjithë shtetit dhe e gjithë shoqërisë.

Të ngjashme

Të fundit