Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar të premten (sot) Ministrisë së Drejtësisë që t’i dërgojë kuzhinierë nga qendrat e paraburgimit, përkatësisht burgjet në kazermat e FSK-së për shkak se nga 1 tetori do të mbeten pa kuzhinierë, raporton Paparaci.
Kazermat do të mbeten pa kuzhinierë sepse pritet të largohet kompania “Beni/Dona” dhe tenderi t’i jepet kompanisë “Hajdini”.
Mirëpo kompania “Hajdini” nuk ka kuzhinierë dhe kapacitet për ta furnizuar me ushqim FSK-në.
Burimet e Paparacit nga ministria e Mbrojtjes kanë treguar që kanë dërguar email zyrtar për t’i dërguar kuzhinierë sepse ushtarët mund të mbesin pa ushqim nga 1 tetori.
Ministria e Mbrojtjes, i ka dhënë tender kompanisë “Hajdini Comerc”.
Kjo kontratë u dha përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Tenderi peshon mbi 2 milionë euro dhe u dha për përgatitje të ushqimit për Ushtrinë e Kosovës.
Ministria që udhëhiqet nga Ejup Maqedonci, më 18 shtator 2024, ka nënshkruar tenderin në vlerën prej 2,149,000
Kjo kontratë njëburimore iu dha grupit të operatorëve ekonomik “NTPK HAJDINI COMERC”, “Bylmeti-KS”.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kontrata ka të bëjë me shërbimi ushqimi për nevojat e FSK-së.