Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës lidhur me hyrjen në vend të një grupi serbësh, të cilët u raportua se janë pjesë e të ashtuquajturës Listë Studentore.
Ramadani, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Siguri, e ka cilësuar këtë vizitë si provokim nga Serbia, duke kërkuar sqarime nga institucionet për mënyrën se si është mundësuar hyrja e tyre në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se nuk ka rëndësi se cilës listë apo strukture i përkasin personat në fjalë, por se politikanët serbë nuk duhet të lejohen të hyjnë në Kosovë për të nxitur tensione dhe për të provokuar shtetin.
“Pavarësisht nëse janë nga Lista e Studentëve, e Vuçiqit, Daçiqit, Vulinit apo dreqit e të birit, politikanët e Serbisë nuk guxon të lejohet të futen në Kosovë për të nxitur e provokuar, fyer e ofenduar shtetin e Kosovës”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka bërë të ditur se Komisioni Parlamentar për Siguri ka vendosur t’i kërkojë ministrit të Punëve të Brendshme informatë me shkrim lidhur me këtë vizitë.
Ramadani ka theksuar se kërkon informim të plotë dhe të saktë për këtë çështje, duke insistuar në përgjegjësi institucionale.
“Si anëtar i këtij Komisioni, besoj që saktësia në këtë informim duhet të jetë e plotë! Llogaridhënia e qeverisë është e domosdoshme!”, ka deklaruar ai.






