Sadri Ramabaja i është kthyer sërish vrasjeve të pasluftës në Kosovë.
Të enjten, në një debat televiziv përball ish-diplomatit Blerim Canaj, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së ka akuzuar për vrasje PDK-në dhe LDK-në.
Derisa ka komentuar darkën e së hënës mes kryeministrit Albin Kurti dhe Memli Krasniqit të PDK-së, Ramabaja ka thënë se është kundër thyerjeve ekstreme në skenën politike në Kosovë. Ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja kanë kontribuuar më së shumti në polarizimin e shoqërisë. Ka përmendur vrasjet.
“Këtë përshtypje [të koalicionit mes LVV-së dhe PDK-së, vj] e kisha pas takimit, them të drejtën. Unë nuk them asgjë që është e pamundur dhe ç ‘është e vërteta, investoj jashtëzakonisht shumë që të mos ketë thyerje ekstreme, polarizime ekstreme në këtë më së shumti. Për këtë polarizim, kanë kontribuuar PDK-ja dhe LDK-ja në fillim, deri në vrasje. E pastaj, natyrisht pushteti i kaluar me burgosje, me përndjekje, me krijim të organizatave të shpikura terroriste, etj”, tha ai në debatin televiziv në Tëvë1.
“Unë nuk e përjashtoj koalicionin e LVV-së, as me PDK-në, as me LDK-në, as me AAK-në”, tha ai.
Ndërkaq, ish-diplomati dhe ish-zëvendësambasadori i Kosovës në Gjermani, Blerim Canaj bëri thirrje për përfshirje të Prokurorisë.
“A e din që me pasë prokuror serioz, unë të kisha marrë në pyetje ty, z. Ramabaja”, tha Canaj.