Kryeministri Edi Rama riktheu të dielën podcastin e tij në rrjetet sociale Flasim, ku e ftuar ishte kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës Ogerta Manastirliu.
Rama e nisi bisedën duke theksuar se shkarkimi i Erion Veliaj ishte një domosdoshmëri për Tiranën, por burgosja e tij erdhi si pasojë e një procesi të dyshimtë që po zhvillohet nga drejtësia.
“Më 9 nëntor qytetarët e Tiranës dhe disa bashki të tjera do të votojnë për kryebashkiak. Të tjerat janë zgjedhje krejt normale ndërsa në Tiranë janë të jashtëzakonshme dhe jo sepse Tirana është kryeqyteti, Tirana mbeti pa kryebashkiak për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë. Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim ku po mbahet ende prej muajsh mes një procesi me standarde që për ta thënë butë, janë të dyshimta. Kush diskuton legjitimitetin e Presidentit, nuk kanë faj, nuk kanë dijen mbi kushtetutën të Ilir Rusmalit, këshilltarit të presidentit Begaj dhe ministrit të drejtësisë të PD që dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të bëhej palë me korrupsionin që degradoi në pikën ku një tragjedi makabre tmerroi Shqipërinë dhe pataksi botën, në Gërdec”, tha Rama.