Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar si një sekt që, sipas tij, përdor frikësimin dhe shantazhin për të penguar projektet e kryeqytetit.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Rama akuzoi pushtetin qendror për mungesë bashkëpunimi dhe sabotim të projekteve infrastrukturore.
“Këta nuk janë as parti politike. Unë e kam thënë që tri vite që ky është një lloj sekti. Domethënë njëfarë mendësie e mbrapshtë që vetëm saboton, shantazhon, frikëson, e përdor frikën si një mjet të fortë për me i shti njerëzit me u bërë me ta në bazë të frikës”, deklaroi Rama.
Ai tha se gjatë dy viteve të para të mandatit kishte kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Qeverinë, por sipas tij, nuk kishte gjetur vullnet për dialog.






