Rama nga Talini: Do të ecim me modelin estonez drejt inovacionit

- Advertisement -

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Talin të Estonisë me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Lennart Meri 2026, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të debatit mbi politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale, e organizuar këtë vit nën moton “Fati i favorizon të guximshmit”.

Fillimisht, ai mbajti një deklaratë të përbashkët me homologun e Estonisë, Kristen Michal, i cili vuri theksin te mbështetja ndaj Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt familjes evropiane dhe po ashtu me projekte apo aleancë në fushën e digjitalizimit.

“I dashur Edi, mirë se erdhe në Estoni! Ju pres saktësisht 1 vit më pas, dua të them se Shqipëria është një aleate shumë e mirë në NATO, ka më shumë se 2 mijë km mes Talinit dhe Tiranës, por ndajmë të njëjtën pikëpamje. E ndjejmë që siguria jonë është e ndërlidhur, ndërsa i afrohemi samitit të Ankarasë, Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj”, tha ai, duke përmendur luftën që vijon me të njëjtin intensitet në Ukrainë, raporton Tv Klan.

“Solla diellin”, kryeministri Rama e nisi me këtë batutë deklaratën e tij.

“Faleminderit shumë për bisedën e dobishme dhe që ndatë me mua si ja dolët me sukses si vend për të bërë atë që ju e quani kërcimi i tigrit. Me ju jo vetëm kërkojmë bashkëpunim, por edhe atë udhërrëfyes estonez, jam shumë mirënjohës që na thatë se jeni gati të mirëprisni njerëzit tanë e t’i mësoni, sidomos në nivelin e sektorit arsimor, duke nisur me fëmijët, për t’ju dhënë atyre instrumentet që ta çojnë vendin në tjetër nivel”, shtoi ai.

“Duam të sigurohemi që rrugëtimi jonë drejt 2030-ës të shtrohet më të njëjtin novacion që e ka bërë Estoninë një markë globale. Synojmë të ecim përpara me Inteligjencën Artificiale”, u shpreh Rama.

“Jemi dy kombe që më së fundi jetojnë me dëshirën për të kapur të ardhmen, pasi janë mbajtur për një kohë kaq të gjatë në të shkuarën, për shkak të imponimit të regjimeve”, deklaroi ai, teksa e nënvizoi se “kombet ndajnë të njëjtën mendësi”.

“Është kënaqësi të shohësh 3-fishim të numrit të estonezëve që vijnë qysh prej 2023-it. Shpresoj që të zgjatet ky sezon i fluturimit të drejtpërdrejtë. Ndërkohë që lini vendin në errësirë, gjeni diell, edhe në dimër! Nuk kemi simpati për Vladimir Putin atje, kështu që do të ndiheni krejtësisht si në shtëpi”.

“Duam të shohim novatorët estonezë të hedhin sytë te teknologjia në Shqipëri. Nuk është thjesht për hir të protokollit, kjo është ajo që ndjejmë të gjithë, i gjithë ekipi! Jemi të lumtur që ndodhemi këtu, presim të bëjmë më shumë së bashku”, përfundoi Rama.

Në kuadër të kësaj vizite, Rama do të mikpritet edhe nga Presidenti i Estonisë Alar Karis, në zyrën e tij. Po ashtu, me delegacionin, do të vizitojë Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, ku do të takohet me drejtuesit e qendrës dhe do të njihen me veprimtarinë dhe rolin e saj në forcimin e mbrojtjes kibernetike në kuadër të NATO-s.

Pjesë e agjendës është edhe vizita në Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe, si dhe ndalesa në e-Estonia Briefing Centre, një nga qendrat më të njohura ndërkombëtare të inovacionit dhe qeverisjes digjitale. Ndër të tjera, Rama do të japë një intervistë për të përditshmen estoneze Postimees, mbi perspektivën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më herët, numri një i kabinetit shqiptar ishte në Aachen të Gjermanisë, ku mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit prestigjioz “Karli i Madh”.

“Kënaqësi dhe nder sërish, në Aachen të Gjermanisë, si pjesë e grupit të miqve të nderit të ceremonisë prestigjioze të Charlemagne Prize, një nga vlerësimet më të rëndësishme evropiane për kontributin në bashkimin dhe të ardhmen e Evropës, ku sot evropiani i madh Mario Draghi u vlerësua me Çmimin e Karlit të Madh 2026, në respekt të rolit të tij të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e stabilitetit ekonomik të Evropës dhe nxitjen e projektit të një Evrope të Bashkuar përtej kufijve të sotëm, me një treg shumë më unik, me aftësi mbrojtëse të vetëmjaftueshme, e me fuqi prodhuese e konkurruese shumë më të madhe”, u shpreh ai, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Të ngjashme

Të fundit