Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar 7 Shtatorin, datën kur më 1990 u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një prej akteve më të guximshme dhe më largpamëse të historisë politike të Kosovës.
Rama përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, në një kohë kur Kosovës iu hoq autonomia dhe institucionet e saj u vunë nën presion, shqiptarët zgjodhën të ndërtonin një rend juridik dhe institucional.
“7 Shtator 1990 kur Kosova, edhe nën okupim, zgjodhi me vepru si shtet”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, gjenerata e vitit 1990 e kishte të qartë se liria nuk duhej vetëm të kërkohej, por edhe të ndërtohej përmes institucioneve dhe një rendi kushtetues.
“E ajo gjeneratë e dinte se Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është mbrojtja e qytetarit. Është marrëveshja se askush nuk është mbi shtetin”, ka deklaruar Rama.
Kreu i Prishtinës e ka lidhur këtë përvjetor edhe me zhvillimet politike aktuale, duke kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“E pikërisht këtu qëndron ironia e dhimbshme e këtij 7 Shtatori. Në vitin 1990, nën represion, shqiptarët rrezikonin veten për ta krijuar një rend kushtetues. Në vitin 2026, në shtetin e lirë të Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht shkel Kushtetutën dhe me plotë vetëdije i shtyn kufijtë e rendit kushtetues!”, ka shkruar Rama.
Rama ka theksuar se shteti dhe rendi kushtetues i Kosovës janë ndërtuar përmes sakrificës dhe guximit të një gjenerate.
“Shteti u ndërtua me sakrificë. Kushtetuta u shkrua me guxim dhe asnjë pushtet nuk ka të drejtë me i përdhosë! Lavdi vizionit, guximit dhe përgjegjësisë shtetërore të atyre që më 7 shtator 1990 i dhanë Kosovës Kushtetutën e Kaçanikut”, ka përfunduar Rama.






