Këto komente ai i bëri gjatë një mbrëmjeje të organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, duke i dhënë rëndësi historike dhe kulturore rolit të gjuhës shqipe në bashkëjetesën mes popujve të Maqedonisë së Veriut.
“Çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, e ligjeve apo e vullneteve të përkohshme të partive politike. Gjuha shqipe është çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme për ta mbajtur bashkë Maqedoninë e Veriut, duke ushqyer frymën e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve si popuj shtetformues.”
Ai përmendi rolin historik të liderëve shqiptarë, si Arbën Xhaferi dhe Ali Ahmeti, të cilët kontribuan në vendosjen e bazave të bashkëjetesës paqësore dhe shtetndërtimit evropian të Maqedonisë.
Kryeministri e cilësoi shqipen si simbol të integrimit dhe theksoi se prekja e statusit të saj do të ishte e dëmshme.
Në fund, ai e quajti gjuhën një gur themeli për të gjithë popujt e Maqedonisë së Veriut, duke i bërë thirrje për ruajtjen e saj si pikë referimi për një bashkëjetesë harmonike dhe evropiane.
Çka është Ligji për përdorimin e gjuhëve?
Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit.
Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20%.
Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë. Si presidenti Ivanov, edhe ata e cilësuan ligjin si antikushtetues.
Tani, pas shtatë vjetësh, gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.