Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka vizituar qumështoren “VITA”, ku është pritur nga pronari Blerim Devolli dhe stafi i kompanisë.
OEK përmes një postimi në Facebook njoftoi se gjatë vizitës është diskutuar për investimet në makineri e teknologji, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe bashkëpunimin me fermerët vendorë.
Rafuna vlerësoi zhvillimin e “VITA”-s, duke theksuar se investimet dhe puna e vazhdueshme kanë ndikuar në rritjen e cilësisë, forcimin e kapaciteteve dhe krijimin e një produkti konkurrues.
Ai veçoi rritjen e numrit të fermerëve bashkëpunues, respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe besimin e konsumatorëve, si dhe prezencën e produkteve të kompanisë në tregjet jashtë Kosovës.
Rafuna theksoi gjithashtu se kompanitë që investojnë dhe krijojnë lidhje të qëndrueshme me fermerët kontribuojnë në zhvillimin e gjithë zinxhirit të industrisë së qumështit, nga prodhuesi deri te konsumatori.
“Investimet në makineri dhe teknologji, së bashku me lidhjen e qëndrueshme me fermerët, janë bazë për një industri më konkurruese. ‘VITA’ është një shembull i mirë se si investimi, puna dhe përkushtimi mund të ndërtojnë një produkt konkurrues jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregjet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian”, tha Rafuna.
Ai kërkoi që institucionet të vazhdojnë mbështetjen për sektorin, në mënyrë që të rriten kapacitetet, prodhimi dhe eksportet, duke fuqizuar më tej produktet “Made in Kosova”.






