Rafuna: Kosova po humb fonde dhe projekte për shkak të bllokadës institucionale, duhen reforma urgjente

- Advertisement -

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe bllokada institucionale kanë ndikuar direkt në humbjen e fondeve dhe projekteve të rëndësishme për Kosovën.

Ai për Ekonomia Online u shpreh se vendi fillimisht kishte humbur një pjesë të fondeve për shkak të masave sanksionuese, e tash ka edhe mjete të tjera nga Plani i Rritjes.

“Po, kanë ndikuar shumë, për shkak se ne nuk kemi arritur që t’i marrim fondet të cilat kanë qenë të parapara për Kosovën. Së pari kishim masat ndëshkuese, ku humbëm prej disa fondeve një pjesën tonë, që vendet e rajonit i morën të gjitha, ndërsa Kosova nuk i ka marrë, për shkak që ishim nën masa sanksionuese”, ka thënë Rafuna.

“Kurse tani kemi sfidën më të madhe me Planin e Rritjes, ku sipas të gjitha gjasave një shumë goxha të madhe do ta humbim, ose thuajse e kemi humbur, se e kemi pasur afatin deri më 30 qershor që ta dorëzojmë raportin edhe të dëshmojmë që i kemi bërë reformat, ku nuk janë arritur që të bëhen reformat qysh është kërkuar me Planin e Rritjes, edhe këtu ne do të humbim një shumë”.

“Kështu që, gjersa Kosova humb, vendet e rajonit përfitojnë, për shkak se këto mjete nuk do të kthehen në Bruksel, ose nuk do të na presin ne si Kosovë derisa ne t’i plotësojmë kushtet, mirëpo do t’u shpërndahen vendeve të cilat kanë ecur shumë shpejt në reforma”.

Ai u bëri thirrje partive politike që t’i formojnë sa më shpejt institucionet dhe të nisin me reforma ekonomike.

“Po mesazhi im do të ishte në fakt kërkesë. Kërkesë që në qoftë se ia duan të mirën këtij vendi të gjitha partitë politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që sa më shpejt t’i themelojnë institucionet, të jenë në fuqi të plotë dhe të fillojnë reformat”.

“Bile, në rrethanat, në kushtet në të cilat gjendet ekonomia e Kosovës, na nevojiten dy ministra: një ministër i ditës dhe një ministër i ndërrimit të natës, në mënyrë që me vrapu, se me ecë jemi shumë vonë, po me vrapu për t’i zënë vendet e rajonit dhe për t’u kyçur në proceset integruese ku përfiton ekonomia e Kosovës” .

Të ngjashme

Të fundit