Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur në takim emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Në takim, Rafuna ishte i shoqëruar nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka dhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani.
“Gjatë diskutimit, u trajtuan çështje kyçe që lidhen me integrimin e Kosovës në tregun rajonal, sfidat që përballin bizneset në shkëmbimin e mallrave, si dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve të huaja”.
“Kryetari Rafuna theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përmirësimit të kushteve për një mjedis më të favorshëm për investitorët”, thuhet në njoftim.
Më tej, OEK tha se mbetet e përkushtuar në adresimin e sfidave që hasin bizneset dhe në avancimin e përpjekjeve për një integrim më të thellë ekonomik të vendit në rajon dhe më gjerë.