Në një komunikim të brendshëm të ambasadave në Kosovë është bërë paralajmërim për sulm të mundshëm terrorist në Kosovë.
Pas këtij komunikimi, i cili u publikua në media, në qendra tregtare në kryeqytet është vërejtur shtim i forcave të sigurisë, me theks të atyre të KFOR-it, shkruan lajmi.net.
Por, qytetarët kosovarë janë të ndarë në dysh sa i përket besueshmërisë së këtyre paralajmërimeve.
Disa prej tyre i kanë thënë lajmi.net se paralajmërimet e ambasadave duhet të merrem parasysh dhe të shtohet kujdesi duke mënjanuar tubimet.
Por, dikush po e sheh të vështirë që mos të tubohen qytetarët nga Kosova, duke arsyetuar se “jemi popull sevdali dhe kemi qef me u mbledh”.
Në anën tjetër, në mesin e qytetarëve ka që mendojnë se këto paralajmërime kanë prapavi dhe nuk duhet të merren seriozisht.
Në lidhje me gatishmërinë e Policisë së Kosovës dhe punës për parandalimin e ndonjë sulmi terrorist, ky institucion i sigurisë pati thënë për lajmi.net se ndërmerr veprimet e saj operacionale në koordinim me organet e drejtësisë – me interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”, thuhej në përgjigjen e Policisë së Kosovës.