19.1 C
New York
Monday, October 7, 2024

Buy now

Qeveria i lë papaga një pjesë të punonjësve të komunës së Vitisë, Ibrahimi: Po ndëshkohen padrejtësisht

- Advertisement -

Ministria e Financave njoftoi dje se nuk janë ekzekutuar të gjitha pagat e punonjësve publikë në Viti, pasi sipas MF-së, Komuna nuk ka bërë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator.

Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria deklaroi se Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave.

“Megjithatë, zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm. Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm” deklaroi Ministria.

Lidhur me këtë ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Drejtori i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, deklaroi se Komuna e Vitisë është ndëshkuar padrejtësisht nga qeveria.

Ai ka akuzuar nivelin qendror në mos bashkëpunim, duke thënë se niveli qendror ka nënshkruar kontratat kolektive dhe po i njëjti është përgjegjës për mbulimin e shpenzimeve.

“Kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qëndror e jo nga komunat. Ka disa vite që komunat kërkojnë nga niveli qendror ta marrë përgjegjësinë financiere për mbulimin e kostos së kontratave kolektive por kjo kërkesë po hasë në veshë të shurdhër. Ky problem është diskutuar disa herë edhe me kryeministrin Albin Kurti, me ministrin Hekuran Murati, me ministren Nagavci edhe në komisionin e granteve ku komunat po mbi-votohen, por ky problem po vazhdon t’i dëmtoj komunat e Republikës së Kosovës” tha Ibrahimi për Indeksonline.

Sipas tij, niveli qendror nuk po ka gatishmëri për të zgjidhur këtë problem, teksa komunat kanë adresuar çështjen edhe te institucionet e drejtësisë, por që akoma nuk kanë marrë përgjigje.

“Me dhjetëra miliona euro po u merren komunave padrejtësisht nga buxhetet komunale. Po ndalen së zbatuari shumë projekte kapitale që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Komunat ashtu edhe me buxhetet e tyre të pamjaftueshme po punojnë me dinamikë të shtuar vetëm e vetëm që të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve mirëpo, në vend që Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk është në gjendje që t’i shpenzojë mjetet e veta për investime kapitale ku po i teprojnë me qindra miliona euro, t’i përkrah komunat, ajo shkon dhe ua ndalon pagat punonjësve komunal” shtoi Ibrahimi.

Ky i fundit i ka bërë thirrje qeverisë të marrë mësim nga komunat se si duhet pasur përgjegjshmëri ndaj qytetarit.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit