Qeveria në Shqipëri do të subvencionojë me 30% të vlerës së materialeve të ndërtimit në kontratat e punëve publike.
Burime ekskluzive për Euronews Albania treguan se në mbledhjen e ardhshme qeveria do të ndryshojë me akt normativ buxhetin e shtetit dhe do të shtojë me 80 milionë euro shpenzimet për investime kapitale.
Dy kategoritë kryesore që do të përfitojnë nga këto fonde janë: ndërtuesit e rrugëve dhe kompanitë e rindërtimit.
Buxheti do të paguajë 30% më shumë për çmimin e hekurit, bitumit dhe çimentos.
Faturat që do të njihen janë ato që datojnë nga 1 janari i vitit 2020, deri te kontratat që janë ende në proces.
Këto shpenzime do të përballohen me shtesat që kanë ardhur në arkën e shtetit nga taksat, si pasojë e rritjes së çmimeve.
Për 4 muajt e parë janë arkëtuar 96 milionë euro më shumë se plani dhe 223 milionë euro më shumë se 1 vit më parë. /Euronews/