Sidoqoftë, se kjo çështje u diskutua e morëm vesh nga ambasadori britanik, jo nga Zyra e Kryeministrit. Këta të fundit, në njoftimin rreth takimit, lanë jashtë këtë detaj.
Qeveria sa i përket bisedës mes Kurtit dhe ambasadorit britanik njoftoi si vijon:
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, programet e bashkëpunimit dhe për zhvillimet në vend”.
Njoftimi i ambasadorit britanik
Ambasadori Hargreaves më vonë do të jepte detaje nga takimi, dhe theks të veçantë do t’i jepte shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar, të cilat Qeveria s’i përmendi në komunikatë.
“Sot u takova me kryeministrin Albin Kurti. Diskutuam për shqetësimin e përbashkët të Britanisë së Madhe dhe partnerëve ndërkombëtarë rreth veprimeve të fundit të Qeverisë në veriun e Kosovës.” – shkroi ai.
Si e dënoi Britania e Madhe aksionin?
Ambasadori Hargreaves pas aksionit të Policisë së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në katër komunat veriore, kishte thënë se veprime të tilla kërkojnë konsultim me miqtë e Kosovës.
“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit.” – kishte shkruar Hargreaves.
Ndërkohë, reagim i ashpër të premten u bë nga Ambasada Amerikane në Kosovë:
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.
Në lidhje me këtë, kanë reaguar edhe ambasadat e tjera në Kosovë.