Qëndrim Kryeziu i drejtohet PZAP-it, kërkon rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të PDK-së

- Advertisement -

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Qëndrim Kryeziu, ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të kësaj partie.

Përmes një postimi publik, Kryeziu ka thënë se kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në gjetjet që, sipas tij, kanë dalë nga procesi i deritanishëm i rinumërimit të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Përshëndetje miq, unë sot kam paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo kërkesë nuk bazohet në supozime apo pakënaqësi me rezultatin e zgjedhjeve, por në fakte të konfirmuara nga vetë procesi i rinumërimit të zhvilluar nga KQZ”, ka shkruar ai.

Kryeziu ka theksuar se rinumërimi i 185 vendvotimeve ka nxjerrë në pah, sipas tij, pasaktësi në numërimin fillestar, duke shtuar se nga ky proces atij i janë shtuar 589 vota.

“Rinumërimi i vetëm 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52% të votave të PDK-së, dëshmoi se kishte gabime në numërimin fillestar. Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 589 vota që nuk i kisha më parë. Duke u bazuar në këtë fakt, i bie 11.3% e votës së PDK-së, që i bie të kem mbi 22 mijë vota, andaj çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka deklaruar ai.

Sipas Kryeziut, vetëm një verifikim i plotë i të gjitha votave të kandidatëve të PDK-së mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka marrë mbështetjen e qytetarëve.

“Për këtë arsye kam kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në rinumërimin e deritanishëm. Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar që ankesa e tij të trajtohet në mënyrë të paanshme nga PZAP-i, duke vlerësuar se integriteti i procesit zgjedhor varet nga transparenca dhe saktësia e numërimit.

“Besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Pres që PZAP-i ta shqyrtojë këtë ankesë në mënyrë të paanshme dhe të marrë një vendim që garanton integritetin e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e çdo vote. Më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij, që çdo votë e votuesit të jetë e numëruar ashtu siç është vullneti i tij më 7 qershor 2026”, është shprehur Kryeziu.

Ai ka krahasuar situatën aktuale me procesin e kaluar zgjedhor, duke pretenduar se edhe këtë herë ka pasur deformime në numërimin e votave.

“Bazuar edhe në procesin e kaluar zgjedhor, ku në zgjedhjet e kaluara të procesit zgjedhor më 28 dhjetor 2025 më janë shtuar votat në çdo komunë, edhe ky proces ka deformime, prandaj kam parashtruar ankesë në PZAP dhe kërkoj që çdo votë, çka është e imja, është e imja dhe jo e kandidatëve të tjerë, se ashtu kanë thënë qytetarët e jo komisionerët”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme

Të fundit