4.8 C
New York
Saturday, January 10, 2026

Buy now

PZAP hedh poshtë si të pasafatshme ankesën e PDK-së për votat me postë

- Advertisement -

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kishte kërkuar anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Vendimi është marrë në seancën e mbajtur më 9 janar 2026 nga paneli i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli (kryesues), Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

PDK kishte kontestuar administrimin e procesit të numërimit dhe shpalljen si të vlefshme të fletëvotimeve të dërguara me postë nga votimi jashtë Kosovës, duke kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet e pranuara pas afatit ligjor, përfshirë ato të datave 2 dhe 5 janar 2026.

Në arsyetim, PZAP ka vlerësuar se ankesa është dorëzuar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh, të përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, pasi shkeljet e pretenduara, sipas vetë ankuesit, kanë ndodhur më 2 dhe 5 janar 2026, ndërsa ankesa është paraqitur më 8 janar 2026.

“Paneli ka konstatuar se ankesa është parashtruar pas afatit ligjor dhe si e tillë është e pasafatshme”, thuhet në vendimin e PZAP-it.

Në vendim theksohet gjithashtu se, për shkak të pasafatshmërisë, PZAP nuk ka hyrë në shqyrtimin meritor të pretendimeve të PDK-së lidhur me vlefshmërinë e fletëvotimeve me postë.

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga pranimi i vendimit, sipas dispozitave ligjore në fuqi./Reporteri.net/

Të ngjashme

Të fundit