Ish-Zonja e Parë e ShBA-së, Melania Trump, ishte e ftuar në kanalin “The Five” të Fox News Channel për të promovuar librin e ri.
Ajo gjatë intervistës ka reflektuar ardhjen e saj në Amerikë nga vendlindja e saj Sllovenia, por ka zbuluar edhe detaje nga jeta private me bashkëshortin e saj, ish-presidentin e ShBA-së, Donald Trump, i cili po kandidon sërish për president.
Një nga drejtuesit e emisionit, Greg Gutfeld, e pyeti nëse burri i saj fle shumë, dhe ajo u përgjigj: “Ai nuk fle shumë. Ai fle, sigurisht. Ai duhet të fle”.
“A ka veshur pizhame?”, e pyeti dhe ajo duke qeshur u përgjigj: “Jo”, duke bërë që nikoqiri ta ngacmonte.
“A je ndalur ndonjëherë dhe keni menduar për jetën tuaj dhe keni pyetur veten se si keni arritur këtu? Ju erdhët në ShBA në 1996, arritët në JFK dhe më pas përfunduat në Shtëpinë e Bardhë.
Natyrisht, nuk e prisnit, ka raste kur pyet veten se si përfundove këtu?”, ka qenë pyetja që iu parashtrua.
“Po, një udhëtim i mahnitshëm, një histori e mahnitshme. Unë erdha nga një qytet i vogël në Slloveni dhe më pas shkova në Milano, Paris, Neë York. Asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë në jetë. Ne nuk e dimë të ardhmen. Nuk e di se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm”, u përgjigj ajo.
Ish-Zonja e Parë ka shpjeguar se libri i saj përmban histori të bukura nga jeta private dhe në bisedë ka vlerësuar bashkëshortin e saj.
“Ka një personalitet të madh. Është shumë i pasionuar pas këtij vendi. Gjithçka që ai dëshiron të bëjë është ta bëjë këtë vend të sigurt në mënyrë që të gjithë të kenë një punë dhe të gëzojnë jetën familjare”, tha ajo.