Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë të enjten, më 12 nëntor, në shenjë pakënaqësie lidhur me nivelin e pagave dhe mosrealizimin e pagës së 13-të për vitin 2026.
Protesta do të organizohet nga Sindikata e Re – KEK dhe do të mbahet nga ora 11:00, para zyrave të menaxhmentit të KEK-ut në Prishtinë, transmeton lajmi.net.
Përmes një njoftimi, sindikata ka bërë të ditur se kërkesat kryesore të punëtorëve janë ngritja dhe nivelizimi i pagave, si dhe realizimi i pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e KEK-ut për vitin 2026.
“Për paga dinjitoze, për barazi dhe për respektimin e të drejtave të punëtorëve!”, thuhet në thirrjen e sindikatës për protestë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje punëtorëve që të marrin pjesë në protestë për të shprehur pakënaqësitë dhe për të kërkuar realizimin e këtyre kërkesave.






