Home Ballina Puna e dinarit, ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit

Puna e dinarit, ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit

0
Puna e dinarit, ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit

Kurti me zëvendësin e tij, Besnik Bislimin, sot kanë pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Aty thuhet se është diskutuar për çështjet aktuale, megjithatë, si kryesorja është përmendur ajo në lidhje me dinarin.

“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.” –thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, njoftohet si vijon:

“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore.”

Ndërkohë, vlen të theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, tashmë kanë dalë me qëndrimet e tyre mbi këtë çështje.

Bloomberg” raportoi sot se Christiane Hoffman, zëdhënëse e Qeverisë ka bërë thirrje fuqishëm që të shtyhet ky vendim.

“Ne fuqishëm i bëjmë thirrje Kosovës që ta shtyjë vendimin derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme” – citohet të ketë thënë ajo.

Ajo raportohet se e ka quajtur këtë lëvizje një “hap i rëndësishëm me pasoja të gjëra”, që kërkon më shumë kohë e përgatitje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkaq, e kanë pasur një thirrje edhe më të ashpër.

Sipas mediumit “The Pavlovic today”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim dhe të konsultohet fillimisht me “komunitetet e prekura”.

Veç kësaj, DASH-i raportohet se i ka kërkuar Qeverisë Kurti që “t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë.” – citohet të jetë thënë në përgjigjen e një zëdhënësi të DASh-it.

Bashkimi Evropian në anën tjetër, ka kërkuar nga Kosova e Serbia që të shmangin veprimet e pakoordinuara, derisa kanë kërkuar sqarime për vendimin e Qeverisë Kurti.

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë. Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren.” – ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Exit mobile version