Publikohet aktgjykimi i plotë nga Gjykata e Hagës, këto janë dënimet dhe konstatimet

- Advertisement -

Gjatë ditës së sotme Gjykata Speciale ka dënuar me 17 muaj burgim Hashim Thaçin, Bashkim Smakaj me 12 muaj, Fahri Fazilun me 12 muaj, Hajradin Kuqin me 1 vjet me kusht ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Ndërsa pas vendimit, Gjykata Speciale tashmë ka publikuar aktgjykimi e plotë në në çështjen Thaçi dhe të tjerët për pengim të drejtësisë.

Vendimi i plotë:

Sot, më 17 nëntor 2026, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) shqiptoi Aktgjykimin në çështjen gjyqësore Prokurorja e Specializuar k. Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik në lidhje me një gjykim tjetër në këtë Gjykatë (Thaçi dhe të tjerët, i njohur si Çështja 6) në të cilin z. Thaçi ishte i pandehur dhe përballej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes konstatoi se z. Thaçi u zbuloi informacion konfidencial për disa dëshmitarë në gjykimin e tij për krime lufte, personave që e vizituan në objektin e paraburgimit në vitin 2023, dhe se përmes vizitorëve u përcolli dëshmitarëve udhëzime se si duhej të dëshmonin në gjykimin e tij për krime lufte. Të bashkakuzuarit e z. Thaçi në këtë çështje gjyqësore ishin personat që e vizituan në objektin e paraburgimit.

Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes e shpalli Hashim Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, për të cilat u dënua me 17 muaj burgim që do të kryhet veças nga cilido dënim tjetër i shqiptuar për fajësinë e tij në çështjen për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Bashkim Smakaj u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës, për të cilat u dënua me 12 muaj burgim. Duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim,Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes e konsideroi dënimin të shlyer dhe ai u lirua.

Fadil Fazliu u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës, për të cilat u dënua me 12 muaj burgim. Duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes e konsideroi dënimin të shlyer dhe ai u lirua.

Hajredin Kuçi u shpall fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës, për të cilën u dënua me kusht me një muaj burgim që do të konsiderohet i kryer pas një viti, në qoftë se ai nuk kryen asnjë vepër tjetër penale sipas Kodit Penal të Kosovës, gjatë asaj periudhe.

Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për akuzat kundër tij.

Gjatë shqiptimit të Aktgjykimit, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes nënvizoi peshën thelbësore të veprave penale të kryera. Ai theksoi se pengimi i detyrave zyrtare në kuadër të kryerjes së një gjykimi, përbën sulm ndaj integritetit të sistemit gjyqësor, që shërben si themel për sundimin e ligjit.

Konstatimet

Grupi i Fazliut

Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes konstatoi se gjatë vizitës së Fadil Fazliut në objektin e paraburgimit më 2 korrik 2023, z Thaçi i dha z. Fazliu disa udhëzime për t’iu përcjellë një dëshmitari, Rrustem Mustafës, lidhur me dëshminë e tij të ardhshme në Çështjen 6. Një ditë pas kësaj vizite, z. Fazliu u takua me dëshmitarin dhe ia komunikoi ato udhëzime. Udhëzimet përfshinin këshillën që dëshmitari të mohonte, në rast se do të pyetej nga Prokuroria, se kishte marrë komunikime nga z. Thaçi.

Z. Thaçi dhe z. Fazliu u shpallën fajtorë se tentuan, me anë të veprimit të përbashkët, të pengonin personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare të tyre.

Z. Thaçi gjithashtu u shpall fajtor se i zbuloi z. Fazliu informacion konfidencial për dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë.Për këto veprime, dhe për mosbindjen ndaj urdhrave të gjykatës që i ndalonin kontaktin me dëshmitarë të Prokurorisë, z. Thaçi u shpall fajtor gjithashtu edhe për mosbindje ndaj gjykatës, kurse z. Fazliu u shpall fajtor se ndihmoi z. Thaçi në kryerjen e mosbindjes ndaj gjykatës në lidhje me tentativën për pengim, por jo për ndihmë në nxjerrjen e informacionit konfidencial.

Grupi i Smakajt

Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes gjithashtu konstatoi se gjatë vizitave të Bashkim Smakajt dhe personave të tjerë në objektin e paraburgimit më 7 tetor 2023, z. Thaçi i komunikoi z. Smakaj udhëzime për t’iu përcjellë dëshmitarit të Prokurorisë në Çështjen 6, Bislim Zyrapi, para dëshmisë së ardhshme të tij. Z.Smakaj e informoi z. Thaçi se e kishte kontaktuar dëshmitarin para vizitës së 7 tetorit, dhe se dëshmitari i kishte kërkuar shpjegime të mëtejshme. Z. Thaçi i dha z. Smakaj udhëzime me shkrim për dëshminë e z. Zyrapi, të cilat më vonë u sekuestruan në banesën e z. Smakaj. Provat digjitale vërtetuan se z. Smakaj u takua me z. Zyrapi pas vizitës së 7 tetorit, dhe Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes arriti në përfundimin se në atë takim duhet të jenë diskutuar udhëzimet që kishte komunikuar z. Thaçi gjatë vizitës së 7 tetorit.

Për këto veprime, z. Thaçi dhe z. Smakaj u shpallën fajtorë se tentuan, përmes veprimit të përbashkët, të pengonin personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare të tyre.

Z. Thaçi u shpall gjithashtu fajtor edhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për kryerje të mosbindjes ndaj gjykatës përmes zbulimit të informacionit konfidencial dhe shkeljes së urdhrit për ndalimin e kontaktit me dëshmitarë të Prokurorisë në Çështjen 6.

Z. Smakaj u shpall fajtor se ndihmoi z. Thaçi në kryerjen e mosbindjes ndaj gjykatës në lidhje me tentativën për pengim, por jo për ndihmë në nxjerrjen e informacionit konfidencial.

Grupi i Kilajt

Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes konstatoi se gjatë vizitës së Isni Kilajt dhe një personi tjetër në objektin e paraburgimit më 6 tetor 2023, z. Thaçi i dha z. Kilaj udhëzime të hollësishme se si duhej të dëshmonte një dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë, si edhe kopje të deklaratave të mëparshme të atij dëshmitari. Megjithatë, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes konstatoi se provat nuk vërtetuan se z. Kilaj ndërmori ndonjë veprim për t’ia komunikuar këto udhëzime dëshmitarit të mbrojtur, apo se ndonjë person i tretë mori pjesë në veprimin e përbashkët të pretenduar, që është kusht sipas nenit 401(2) të Kodit Penal të Kosovës.

Mbi këtë bazë, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes i shpalli z. Thaçi dhe z. Kilaj të pafajshëm për

tentativë, përmes veprimit të përbashkët, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e funksioneve zyrtare të tyre.

Megjithatë, z. Thaçi u shpall fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për kryerje të mosbindjes ndaj gjykatës pasi i zbuloi z. Kilaj informacion konfidencial për disa dëshmitarë të Prokurorisë.

Nuk u konstatua se z. Kilaj kishte ndihmuar në këto nxjerrje informacioni dhe rrjedhimisht ai u shpall i pafajshëm për akuzat kundër tij.

Z. Kuçi

Së fundi, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes konstatoi se Hajredin Kuçi i dërgoi një mesazh Rrustem Mustafës – dëshmitar i Prokurorisë në Çështjen 6 – në shkelje të urdhrit të Gjykatës për ndalimin e këtyre kontakteve. Z. Kuçi dhe z. Thaçi u shpallën të pafajshëm lidhur me pretendimin për marrëveshje për kontaktimin e tre dëshmitarëve në lidhje me dëshmitë e tyre, pasi Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes konstatoi se nuk kishte prova të mjaftueshme që vërtetonin se z. Kuçi kishte ndërmarrë hapa për t’i kontaktuar këta dëshmitarë.

Një përmbledhje më e hollësishme e Aktgjykimit do të publikohet shumë shpejt në faqen e internetit të DHSKsë. Versioni i redaktuar publik i Aktgjykimit do të jetë i disponueshëm më vonë.

Vendimin e gjeni këtu

Të ngjashme

Të fundit