Pse shumica e futbollistëve po luajnë me këpucë rozë në Botërorin 2026?

- Advertisement -

Nëse i keni ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës, me siguri ju ka rënë në sy një detaj i pazakontë: këpucët rozë janë kudo.

Sulmues, mesfushorë, mbrojtës e madje edhe portierë po zbresin në fushë me nuanca rozë, duke e kthyer këtë ngjyrë në një nga simbolet e turneut.

Por pse ka ndodhur kjo?

Sipas raportimeve nga mediat italiane dhe ekspertëve të marketingut sportiv, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje mes futbollistëve, por për një trend global që ka ardhur nga bota e modës, përcjell “Gazeta Express”.

Instituti Pantone i kishte identifikuar disa nuanca rozë si ngjyrat dominuese të sezonit Pranverë-Verë 2026, ndërsa gjigantët e industrisë sportive si Nike, Adidas, Puma dhe New Balance e përfshinë këtë tendencë në koleksionet e tyre shumë kohë përpara nisjes së Botërorit.

Megjithatë, arsyeja nuk është vetëm estetike.

Ngjyra rozë krijon kontrast të fortë me gjelbërimin e fushës, duke i bërë këpucët shumë më të dukshme në televizion, fotografi dhe veçanërisht në rrjetet sociale.

Në një epokë ku momentet e ndeshjeve shpërndahen në sekonda përmes videove në TikTok, Instagram dhe platforma të tjera, çdo detaj që bie në sy ka vlerë të madhe marketingu.

“Është një ngjyrë kaq e dukshme dhe e ndritshme sa e krijon ndjesinë se duhet të jesh një lojtar i madh për ta veshur”, ka shpjeguar Odinga Nimako nga Nike, duke folur për fenomenin që po dominon Botërorin.

Ajo që dikur konsiderohej një zgjedhje e guximshme dhe individuale për futbollistët, sot është shndërruar në një trend global.

Kështu, në Botërorin 2026, përveç golave dhe spektaklit në fushë, rozë është bërë ngjyra që po tërheq më shumë vëmendje se çdo detaj tjetër.

Të ngjashme

Të fundit