Është zbuluar veprimi “sekret” që Marc Cucurella bëri para finales së Kupës së Botës, një ritual që ia kishte sugjeruar një bashkëkombës i tij, i cili kishte bërë të njëjtën gjë edhe para finales së vitit 2010.
Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në histori, duke përsëritur suksesin e arritur 16 vite më parë, pasi Ferran Torres, i futur nga stoli, shënoi golin e fitores në vazhdime.
Për Argjentinën, Enzo Fernandez u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë të panevojshëm, ndërsa Leandro Paredes u ndëshkua gjithashtu me të kuq pas fishkëllimës së fundit, pasi u pa duke shtyrë dhe prekur disa lojtarë të Spanjës në skena të shëmtuara.
Cucurella, i cili po i bashkohet Real Madridit, zhvilloi një turne të shkëlqyer, duke e mbyllur atë me triumfin në Kupën e Botës së bashku me shokët e tij të kombëtares spanjolle, vetëm dy vjet pasi kishin fituar Kampionatin Evropian në Berlin.
Tashmë është zbuluar se mbrojtësi spanjoll bëri diçka të veçantë para ndeshjes, me shpresën se do t’i sillte fat Spanjës.
Pasi përqafoi bashkëlojtarët e tij, Cucurella u filmua duke shkuar pranë vijës anësore, ku dukej se nxori diçka nga çorapja, e vendosi në tokë dhe më pas rregulloi barin.
Megjithatë, rezulton se ky supersticion i pazakontë kishte një domethënie të veçantë.
Pamjet u publikuan nga Joan Capdevila, ish-mbrojtësi i majtë i Spanjës, i cili fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2008 dhe Kupën e Botës në vitin 2010.
Përmes rrjetit social X, ish-lojtari i Villarrealit zbuloi se para finales së vitit 2010 kishte varrosur një monedhë në fushë dhe se 16 vjet më vonë i kishte kërkuar Cucurellës të bënte të njëjtën gjë.
Ai shkroi: “Në vitin 2010 varrosa një monedhë në bar para fillimit të ndeshjes… E kam treguar këtë histori miliona herë. I kërkova @cucurella3 të bënte të njëjtën gjë edhe dje… Marc, të dua shumë. TI JE KAMPION BOTE!”
Capdevila ishte i pranishëm në stadium për triumfin e fundit të Spanjës dhe madje publikoi një fotografi ku shihej i ulur në stol pas përfundimit të ndeshjes.
Megjithatë, fillimisht atij iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara, pasi kërkesa e tij për autorizimin ESTA ishte refuzuar. Kjo e shtyu Capdevilan të bënte një apel publik në rrjetin social X, duke etiketuar presidentin amerikan Donald Trump.
Capdevila shkroi: “A mund të më ndihmojë dikush me këtë? Nuk e keni idenë sa shumë isha emocionuar që do të isha atje me të gjithë shokët e mi të vitit 2010 dhe me këtë ekip për t’i mbështetur.
Nuk mund ta besoj që nuk po më lejojnë të hyj në SHBA… dhe se do ta humbas një moment si ky me fëmijët e mi, të cilët e duan aq shumë futbollin. Nëse dikush di si të zgjidhet kjo, do t’i jem mirënjohës gjithë jetën.”
Sipas raportimeve, kërkesa e Capdevilas ishte refuzuar sepse ai kishte marrë pjesë në një ndeshje miqësore në Iran, vend që ishte përballur me trajtim kontrovers gjatë turneut të zhvilluar në SHBA.
Sipas “ESPN”, Shërbimi Amerikan i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare (U.S. Customs and Border Protection) konfirmoi për “Associated Press” se kishte marrë një kërkesë të posaçme për t’i lejuar hyrjen Capdevilas dhe se ajo ishte miratuar.
Ai mbërriti të dielën, në kohë për finalen, dhe shprehu lumturinë që pati mundësinë të ishte dëshmitar i triumfit të dytë të Spanjës në Kupën e Botës.
Ai shkroi: “SI NUK IA VLEJTI… E MERITOJA TË ISHA KËTU ME FAMILJEN TIME DUKE SHIJUAR KËTË MOMENT, DHE DREJTËSIA U VU NË VEND. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan që kjo të bëhej e mundur. Ju falënderoj të gjithëve nga zemra”.






