Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përballur me pyetje për pagesat që dyshohet se i ka marrë nga kompania GEN-I Beograd, por nuk ka dhënë përgjigje konkrete, në “Debat Plus”.
Gazetari Lirim Mehmetaj e ka pyetur Berishajn për deklarimet e drejtuesve të kompanisë energjetike lidhur me pagesat prej 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike.
Në vend të një përgjigjeje të qartë për këto transaksione, ambasadori ka pretenduar se nuk po e kuptonte pyetjen dhe ka shprehur pakënaqësi për orarin e telefonatës.
“Nuk e di çka jeni duke thënë, për besë. Jeni duke thirrë nëntë e gjysmë në mbrëmje… Sinqerisht nuk jam duke ju kuptuar. Ngadalë, se ia keni çuar pak ndal kësaj pune”, është përgjigjur Berishaj.
Pyetjet e Mehmetajt vijnë pas raportimeve në mediat sllovene për hetimet mbi transaksionet financiare ndërmjet kompanisë GEN-I Beograd dhe bizneseve të ambasadorit kosovar.
Në një emision të televizionit publik slloven RTVSLO, kryetari i bordit të GEN-I në Slloveni, Maks Helbl, kishte deklaruar se kompania në Beograd i kishte paguar Berishajt 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike.
Sipas deklarimit të Helblit, këto pagesa lidheshin me kontratat që Berishaj kishte ndihmuar kompaninë t’i siguronte në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Kjo deklaratë ngre pyetje për natyrën e marrëdhënies financiare të Berishajt me kompaninë dhe për shërbimet konkrete në këmbim të të cilave pretendohet se janë realizuar pagesat.
Pikërisht për këto çështje gazetari Mehmetaj ka kërkuar sqarime nga ambasadori, duke e pyetur nëse i konfirmonte deklarimet e drejtuesit të GEN-I dhe nëse pagesat ishin bërë me dijeninë e tij.
Megjithatë, Berishaj nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë për pagesat prej 0.5 për qind.
Përkundrazi, ai i ka cilësuar pyetjet si insinuata, duke kërkuar që të merret parasysh periudha kur kishte punuar si këshilltar për kompaninë.
“Pse merreni me këto insinuata? Ju duhet me pa se kur kam qenë si këshilltar në GEN-I”, ka thënë Berishaj.
Por as ky reagim nuk sqaron nëse ai i ka pranuar pagesat e përmendura nga Helbl, sa ka qenë vlera e tyre dhe për cilat kontrata janë bërë.
Çështja merr peshë të veçantë për shkak të pozitës së tij si ambasador i Kosovës, për të cilin transparenca rreth marrëdhënieve financiare të raportuara është çështje e interesit publik.
Megjithatë, pas telefonatës me Mehmetajn, mbeten pa përgjigje publike pyetjet nëse ambasadori i ka marrë pagesat prej 0.5 për qind dhe çfarë shërbimesh ka ofruar konkretisht për to.
Raportimi slloven për pagesat ndaj Berishajt
Sipas raportimit të televizionit publik slloven RTVSLO, Prokuroria e Specializuar Shtetërore e Sllovenisë dhe Njësia Kombëtare e Hetimeve kishin nisur, në fund të vitit 2022, hetimet për bashkëpunimin ndërmjet GEN-I Beograd dhe kompanive të lidhura me Martin Berishajn.
Në kuadër të kësaj çështjeje, në dy kompani të Berishajt, MB Consulting, me seli në Mal të Zi dhe Kosovë, ishin transferuar më shumë se dy milionë euro nga GEN-I Beograd. Sipas raportimit të Nova24TV-së, rreth 1.8 milionë euro nga këto mjete Berishaj i kishte tërhequr në para të gatshme.
Ndërkohë, Maks Helbl, kryetar i bordit të GEN-I në Slloveni, kishte deklaruar në emisionin “Tarča” se pagesat ndaj Berishajt përbënin 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike, të siguruara në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.






