Pse Albin Kurti ishte i “detyruar” ta sakrifikonte politikisht Vjosa Osmanin?

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga mos kandidimi i presidentes aktuale Vjosa Osmani për mandatin e dytë presidencial nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë qarkulluar disa pandehma dhe supozime mbi shkaqet që kanë ndikuar në sakrifimin politik të së parës, nga Albin Kurti.

Madje e befasuar dhe habitur u shpreh edhe vetë e para e shtetit, në një intervistë te Cim Peka. Ajo deklaroi se si para zgjedhjeve ashtu edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, në takimet e tyre larg syve të opinionit publik, është vlerësuar me tone superlative nga lideri i Vetëvendosjes, madje duke e quajtur atë si “kryetaren më të mirë të shekullit 21”. Miklim ky i egos psikologjike të Presidentes, që duket të kenë ndikuar edhe në dekretin e saj për caktimin e datës së zgjedhjeve të fundit sipas preferencave politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Natyrisht, ky është vetëm një rast në mesin e disa të tjerave ku Presidentja Vjoa Osmani kishte qenë në shërbim të plotë të interesave të Albin Kurtit.

Me këtë rast janë përmendur shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë çarje politike, ku kjo dyshe që dikur shihej në masë të madhe nga qytetarët e Kosovës si e vetmja shpresë, përfundoi në një divorc të hidhur. Me theks të veçantë është potencuar depërtimi i saj në teatrin e diplomacisë ndërkombëtare, derisa Albin Kurti ishte i izoluar në aspektin diplomatik për shkak të intervenimeve të Qeverisë së tij në “çlirimin” e veriut dhe sovranizimin e shtetit. Se me këto sjellje e para e shtetit e ka shfrytëzuar një dobësi momentale personale të Kryeministrit ,por të dobishme për shtetin për t’ia rrëmbyer atij shkëlqimin e jashtëm.

Në këtë drejtim vlen të përmenden sidomos takimet e saj të fundit me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, si dhe Sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio, veprime këto që kanë ndikuar në shpërthimin e smirës dhe zilisë së kryeministrit. Prandaj i njëjti më këtë akt ka dashur t’i tregojë asaj për peshën reale politike dhe t’ia dëshmojë se burimi i vetëm i pushtetit në Kosovë, është ai dhe jo dikush tjetër. Të tjerët mund të kenë pozita, por jo pushtet.

Nuk ka dyshim se shtysa të tilla psiko-politike mund ta kenë frustruar kryeministrin Kurti. Megjithatë, panorama me plotë e kësaj hakmarrje personale vështirë të kuptohet pa i marrë në konsideratë edhe dinamikat e brendshme të Lëvizjes Vetevendosje dhe ku ne njëfarë mënyre, lideri i saj ishte i “detyruar” ta sakrifikonte politikisht Vjosa Osmanin, me qëllim që ta ruante natyrën e organizatës që ai e perfaqeson dhe nga e cila e merr fuqinë politike.

Këtu duhet kujtuar se në dallim nga partitë tradicionale, Lëvizja Vetëvendosje me shumë funksionon sipas raportit të masës dhe pushtetit, të cilën e ka analizuar Elias Caneti në librin e tij me të njëjtin titull.

Masat sipas këtij mendimtari mbijetojnë për aq sa mund të zgjerohen. Dhe në funskion të ketij qëllimi atyre u duhet të tërheqin brenda vetes gjithnjë e më tepër njerez të rinj. Prandaj edhe bashkimi i Albin Kurtit me Vjosa Osmanin para 5 viteve ishte i domosdoshëm për të parin. Mirëpo, çdo rishtar mbart brenda vetes rrezikun për masën. Sepse kjo e fundit nuk toleron atë lloje sjellje që shkëputet nga “barazia e saj”. Pa këtë element masa shkaperderrdhet. Me këtë rast duhet kujtuar se Vjosa Osmani simbolikisht e ka përfaqësuar plotësisht si sistem jetese armikun e jashtëm të Vetëvendosjes. Elitat e pasura e te mbyllura në lagje luksoze larg nga masat e përgjithëshme , si imazh i regjimit të vjetër. Kjo nuk do te thotë që në Lëvizjen Vetëvendosje sot nuk ka njerëz të kamur, por bëhet përpjekje maksimale që të njëjtit të mos e shperfaqin hapur në publik këtë element. Sepse siç pohon autori i siper cekur se “kushdo që bënë pjesë në një të tillë mbart në vetvete një tradhtar të vogël, të cilit i pëlqen të hajë, të pijë, të dashurojë, e të ketë rehatinë e vet. Për aq kohë sa i plotëson këto dëshira kur t’i vijè rasti dhe s’bie shumë në sy, nuk e ngacmojne. Por kur sjellja e tij bënë shumë bujë, nisin ta urrejnè e ta kenë frikë. Atëherë merret vesh se është bërë pre e joshjes nga armiku”. Prandaj jetesa e Presidentes në lagjen Marigona Hill, ndërrimi i shkollës se vajzave të saj nga ajo publike në një institucion privat por edhe afrimi me Edi Ramen, ndikuan që Albin Kurti të ishte i “detyruar” ta distancohej nga Vjosa Osmani.

Me këtë nuk po them se kjo qasje e tij është interes shtetëror, por ajo është vetëm në funskion të mbijetesës së tij politike nëpërmjet narracionit ideologjik që ai e mbron publikisht. Madje kjo është arma e tij kryesore “sekrete” politike edhe kundër opozitës, duke ia dalur të fitojë kundër saj pa bërë asgjë. Sepse pjesa më madhe e qytetarëve të Kosovës i shohin elitat drejtuese të partive opozitare si të huaj ne aspektin social dhe ekonomik për ta.

Të ngjashme

Të fundit