Prokuroria Speciale në Hagë thotë se UÇK-ja nuk ishte në anën e duhur të historisë

- Advertisement -

Ky konstatim e vërteton qartë tentimin e Speciales për ta rishkruar historinë e luftës së Kosovës për liri.

E pabesueshme, por e vërtetë.

Për Prokurorinë në Dhomat e Specializuara, gjenerali Wesley Clark ishte në anën e gabuar të historisë në vitin 1999 – dhe po ashtu në vitin 2025, kur mbrojti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Sepse, për prokurorinë në Hagë, UÇK-ja nuk ishte në anën e duhur të historisë.

Ky konstatim e vërteton qartë tentimin e Speciales për ta rishkruar historinë e luftës së Kosovës për liri – diçka që është thënë në Kosovë që nga publikimi i aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në Dosjen Përfundimtare të Prokurorisë, një dokument me mbi 700 faqe, në pjesën ku sulmohen dëshmitarët amerikanë të mbrojtjes, si Wesley Clark, James Rubin dhe të tjerë, shkruhet një fjali ku UÇK-ja dhe lufta e saj vendosen në anën e gabuar të historisë.

Kur komenton dëshminë e Clark-ut, Prokuroria thotë se ish-komandanti i NATO-s injoroi faktet që, sipas tyre, binin ndesh me bindjen e tij se UÇK-ja ishte në anën e duhur të historisë.

“Përkundrazi, ai tregoi një keqkuptim të qartë të rolit të tij si dëshmitar, duke injoruar ose refuzuar faktet që binin ndesh me bindjen e tij se UÇK-ja ishte në anën e duhur të historisë, ndërsa ofroi komente të gjata anësore mbi çështje krejtësisht të parëndësishme për këtë rast”, shkruan Prokuroria në faqen 688, shkruan VOX Kosova.

Pra, për Prokurorinë, besimi dhe angazhimi i Clark-ut se UÇK-ja ishte në anën e duhur të historisë është i gabuar.

Ish-komandanti i NATO-s ishte një nga njerëzit më këmbëngulës që NATO-ja ta bombardonte Serbinë për dhunën që po ushtronte në Kosovë gjatë viteve të luftës.

Edhe në deklarimet e tij publike, ai shprehej me nervozizëm për reagimin e shpejtë që Perëndimi duhej ta kishte ndaj kriminelit Slobodan Milosheviq — për vrasjet dhe spastrimin etnik në Kosovë.

Në Dosjen Përfundimtare, Prokuroria përdor edhe sulme të tjera ndaj Clark-ut dhe dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes, duke i cilësuar si të painformuar dhe të njëanshëm, ndërsa injoron tërësisht angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë dhe specifik në luftën e Kosovës.

Këto sulme Prokuroria i kishte bërë edhe në seancë publike, por me tone disi më të buta.

Ndaj tyre kishte reaguar mbrojtja e Thaçit përmes amerikanit Pierre-Richard Prosper.

“Mund të mos ju pëlqejnë. Dhe nuk keni nevojë që t’ju pëlqejnë. Mund të mos i respektoni dëshmitarët tanë ndërkombëtarë si individë. Dhe nuk keni nevojë që t’i respektoni. Por duhet të respektoni rolet e tyre, profesionet e tyre dhe kë përfaqësonin: Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, qeverinë britanike, NATO-n dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, thoshte Prosper.

Të ngjashme

Të fundit