Prokuroria Speciale ka reaguar lidhur me raportimin e VOX Kosova se, pas shkarkimit të Blerim Isufajt, brenda disa javësh janë pushuar hetimet ndaj tre ministrave të Qeverisë Kurti.
Në reagimin e saj, Prokuroria brenda dy fjalive edhe e quan raportimin pretendim, edhe e konfirmon se hetimet ndaj ministrave janë pushuar, por në arsyetimin e saj qesharak, përmend se vendime të tilla janë marrë edhe për persona të tjerë.
“Nga data 02.10.2026, kur kanë ndodhur ndryshimet në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, e deri më tani, ky institucion ka ngritur 10 aktakuza ndaj 31 personave, ka marrë 9 vendime për pushimin e hetimeve ndaj 14 personave dhe ka hedhur poshtë 9 kallëzime penale ndaj 21 personave”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë, në Prokurorinë Speciale vazhdojnë hetimet ndaj Artane Rizvanollit, Marti Berishajt dhe ministrave e ish-ministrave të tjerë të Qeverisë Kurti.
Mbetet të shihet nëse këto hetime do të përfundojnë me aktakuza apo me pushim të hetimeve.






