Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Q.J., i cili gjendet në paraburgim që nga muaji maj i këtij viti, për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 28 Maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit “SAUER model 38 H” e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”,thuhet në njoftimin për media.