Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur, me vetiniciativë, rast penal ndaj shtetasit të Republikës së Shqipërisë, Joz Marku, lidhur me dyshimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” ndaj shtetasit të Kosovës, Edi Kuçi.
Sipas deklarimit të Prokurorisë, prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, vendosjen në “stop list” ndaj Joz Markut dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore.
Prokuroria ka bërë të ditur se veprimet janë ndërmarrë bazuar në nenin 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili, sipas njoftimit, zbatohet edhe ndaj personave të huaj që dyshohet se kanë kryer vepra penale jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa Policia e Kosovës është autorizuar për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.
“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, ka deklaruar Nikçi për Tëvë1.info.






