Një burrë dhe një grua me pasaporta të Rusisë u ndaluan sot në pikën kufitare të Jarinjës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ata kanë ardhur nga Nishi i Serbisë dhe dyshimet janë se kanë kaluar nëpër rrugë ilegale.
“Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në njoftim.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj tyre me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë për dy personat e ndaluar, ka ngritur aktakuzë me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës, për shkak të veprës penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, ka thënë Preteni.
Më 30 shtator të vitit 2022, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.
“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, kishte thënë Kurti.