Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjakovë, ka realizuar një operacion pas një hetimi disa mujor, duke zbatuar masa të veçanta hetimore, që çoi në arrestimin e katër personave të dyshuar lidhur me një laborator droge të zbuluar më 23 prill 2025.
Të arrestuarit akuzohen për kultivimin e bimës “Kanabis Sativa” në kushte të sofistikuara brenda një objekti të mbyllur, ku përdoren pajisje speciale për ndriçimin dhe ngrohjen e bimëve, si dhe pesticide për kultivim. Ata dyshohen për kultivimin e 175 bimëve të kanabisit, të cilat i tharën dhe i përgatitën për shitje. Ky akt përbën një shkelje të ligjit, konkretisht veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” sipas nenit 272 të Kodit Penal të Kosovës (KPRK).
Njëri nga të pandehurit është gjithashtu i akuzuar për blerjen, posedimin dhe shpërndarjen e narkotikëve. Gjatë kontrollit të bërë në shtëpinë dhe veturën e tij në Fushë Kosovë, u gjetën dhe u sekuestruan substanca të dyshuara narkotike si kokainë dhe marihuanë, peshore digjitale, dhe një shumë të konsiderueshme parash.
Po ashtu, njëri nga të arrestuarit është i dyshuar se ka ofruar pasuritë e tij për mbulimin e veprimtarive të paligjshme, duke i mundësuar strehimin dhe kujdesin e bimëve narkotike.
Prokuroria ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për katër të arrestuarit dhe ka lëshuar urdhër për sekuestrimin e dy objekteve banesore që lidhen me aktivitetet e paligjshme. Kryeprokurori Petrit Kryeziu ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë për urdhër ndalues përfundimtar për këto pasuri.
Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të angazhohet për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj kriminalitetit në rajon, duke siguruar drejtësi për të gjithë ata që shkelin ligjin.