26 C
New York
Wednesday, July 15, 2026

Buy now

Prokuroria e demanton Halil Thaçin: U intervistua në cilësinë e të pandehurit për rastin që ka të bëjë me shpronsimet në Shipitullë

- Advertisement -

Sot kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi u intervistua nga Prokuroria Speciale.

Pas intervistimit, Halil Thaçi tha se është intervistuar si dëshmitarë për çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë.

“Jam intervistuar si dëshmitar për çështjen e disa shpronësimeve. Më kanë pyetur për çdo gjë dhe për gjithçka që kam ditur, do të përgjigjem dhe jam përgjigjur në përputhje me ligjin”, deklaroi ai.

Por, Prokuroria Speciale e ka demantuar Halil Thaçin. Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Arbnora Luta tha se kryetari i Obiliqit u intervistua në cilësinë e të pandehurit.

“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”.”, tha Luta për lajmi.net.

Për çka konkretisht akuzohet Halil Thaçi? 

Ajo që dihet është se Thaçi ndodhej nën hetime penale lidhur me dyshimet për ushtrim ndikimi për hartat e shpronësimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Ai është hetuar për shpronësimet e planifikuara të Korporatës Energjetike në fshatin Shipitullë.

Siç raportohej rreth dy vjet më parë, ish-deputeti dyshohet se ka ushtruar ndikim te ndërmarrjet e pavarura shtetërore që të ndryshohen hartat e shpronësimeve që realizohen nga KEK-u.

Një audio-incizim të cilin e publikoi portali Kallxo.com më 2024, dëshmoi sesi Thaçi, gjatë një komunikimi me disa banorë të fshatit Shipitullë, u tregoi atyre se ka diskutuar me Kryeshefin e KEK-ut dhe kryetarin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për ndryshimin e hartave të shpronësimeve.

Asokohe deputet, Thaçi nuk kishte mandat për ndërhyrje në këtë proces.

“Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë drejtorin, zëvendësdrejtorin, të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi t`u e prit KPMM-në që KPMM-ja me ja dhanë orientimin mihjes. KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës ja… Vijnë i këqyrin shpijat qysh janë ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu”, dëgjohet duke thënë Thaçi në këtë audio-incizim.

“Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare”, deklaron Thaçi, sipas audio-incizimit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar në vitin 2024 se Thaçi ishte vënë nën hetime nga Njësia e Veçantë Anti-Korrupsion.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje”, kishte Prokuroria Speciale në një përgjigje me shkrim.

Vitin e kaluar, Halil Thaçi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, fitoi pas balotazhit garën për kryetar të Komunës së Obiliqit.

Të ngjashme

Të fundit