9.3 C
New York
Saturday, April 13, 2024

Buy now

Prokurori i Posaçëm hedh poshtë pretendimin e Trump mbi dokumentet e klasifikuara

- Advertisement -

Prokurori i posaçëm Jack Smith që drejton çështjen kundër ish Presidentit Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra, ka kundërshtuar gjykatësen federale pasi ajo sinjalizoi se mund të pranojë pretendimin e ish-presidentit se të dhënat ishin pronë e tij personale.

Prokurori Smith tha në një dokument të dorëzuar në gjykatë të martën se zyra e tij do të apelonte çdo vendim të gjykatëses së qarkut Aileen Cannon nëse ajo do t’i udhëzonte anëtarët e jurisë të merrnin në konsideratë ato që ai e quajti “premisa ligjore të pa bazë” të meta të zotit Trump.

Kandidati republikan për President Donald Trump tha vitin e kaluar se është i pafajshëm për padinë me 40 pika që e akuzonte atë për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, pas largimit nga detyra në vitin 2021. Padia e akuzon atë edhe për pengim të përpjekjeve të qeverisë federale për t’i kthyer ato.

Aileen Cannon, e cila është emëruar si gjyqtare nga administrata e zotit Trump, ka sinjalizuar se ajo mund ta marrë parasysh pretendimin të ish Presidentit se ai i konsideroi dokumentet e klasifikuara si të dhëna personale, sipas një ligji të vitit 1978. Fjala është për ligjin për të Dhënat Presidenciale që u lejon ish-presidentëve të mbajnë shënime që nuk kanë lidhje me përgjegjësitë e tyre zyrtare.

Prokurorët kanë thënë se dokumentet kanë të bëjnë me çështjet e ushtrisë dhe zbulimit amerikan, përfshirë detaje rreth programit bërthamor amerikan dhe nuk mund të interpretohen si personale.

Gjykatësja, më 18 mars udhëzoi prokurorët dhe avokatët mbrojtës që të propozojnë udhëzime për anëtarët e jurisë të këtij rasti për dy skenarë të ndryshëm ligjorë, duke lënë të kuptohej se argumenti i zotit Trump mund të përfshihet në procesin gjyqësor.

Sipas prokurorëve, njëri skenar, në të cilin as juria dhe as gjyqtari nuk mund të vënë në pikëpyetje pretendimin e zotit Trump se të dhënat janë personale, do të nxiste jurinë ta shpallte të pafajshëm ish Presidentin.

Ata i kërkuan gjyqtares Cannon të vendosë me shpejtësi nëse jurive do t’u thuhet se pretendimi i zotit Trump është i rëndësishëm në çështjen kundër tij, duke thënë se prokuroria duhet të ketë kohë të mjaftueshme “të kërkojë shqyrtimin nga apeli”.

Në dokumentin e tij, zoti Smith thotë se urdhri i zonjës Cannon mbështetej në një premisë ligjore të gabuar dhe do të “shtrembëronte procesin gjyqësor”.

Ky është një nga katër rastet penale me të cilat përballet zoti Trump. Ai ka deklaruar se është i pafajshëm për të gjitha ato dhe i ka cilësuar si të motivuara politikisht.

Avokatët e ish Presidentit Trump përmes një dokumenti të dorëzuar në gjykatë të martën përsëritën argumentin e tyre se ish Presidenti i kishte parë dokumentet e klasifikuara si të dhëna personale dhe kjo sipas tyre do të thotë që akuzat duhet të hidhen poshtë nga gjyqi.

Ligji për të Dhënat Presidenciale u miratua për t’i lejuar qeverisë së Shteteve të Bashkuara të marrë të dhëna zyrtare nga administrata e një presidenti. Ai u lejon ish-presidentëve të mbajnë shënime të caktuara që vlerësohen personale e që nuk kanë lidhje me përgjegjësitë e tyre zyrtare.

Ish Presidenti Trump ka argumentuar se vendimi i tij për ta çuar materialin me të dhëna të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida tregoi se ai i konsideroi të dhënat si pronë e tij personale. Prokurorët kanë argumentuar se ligji i të dhënave nuk mund të autorizojë një ish-president të mbajë informacion të klasifikuar.

Ish Presidenti Trump përballet me akuza që përfshijnë shkelje të Ligjit të spiunazhit, i cili penalizon mbajtjen e paautorizuar të informacionit që ka të bëjë me mbrojtjen dhe për konspiracion për të penguar drejtësinë.

Data e gjyqit e caktuar për 20 maj për këtë çështje pritet të shtyhet. /VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit