Një profil me emër “Lule Gjeli” në Facebook, i cili po dyshohet për nxitje të urrejtjes dhe shantazh, në postimin e tij të fundit ka shkruar për deputetin e zgjedhur të LDK’së, Ermal Sadiku, duke thënë se “LDK bëhet parti normale” kur Sadiku të vihet në krye të saj.
Këtij postimi i ka reaguar menjëherë Sadiku, i cili iu drejtua me emrin Gent – personi që po raportohet në rrjete sociale se qëndron prapa këtij profili të rrejshëm – duke thënë se e përfaqëson të kundërtën e tij.
Prokuroria Speciale në pyetjen e Gazetës Express nëse kanë nisur hetimet mbi këtë profil, s’ka mohuar as pohuar.
“Nuk mund të mohojmë, as të pohojmë nëse është duke u zhvilluar ndonjë hetim lidhur me çështjen në fjalë”, tha zëdhënësja e kësaj prokurorie, Arbnora Luta.
Këtë profil të rremë kanë nisur ta denoncojnë për nxitje të gjuhës së urrejtjes e shantazh figura publike.
Së fundmi, kreu i Prishtinës, Përparim Rama, i kërkoi drejtoreshës së mediumit “Kallxo.com”, Jeta Xharra, që të dalë e sqarojë se kush fshihet prapa këtij profili meqë në këtë medium u publikua një opinion me emrin e “Lule Gjeli”.
Opinioni u publikua më 27.8.2020 dhe ende është publik.






